Një tjetër vilë në zonën e ish-Bllokut, ndër të paktat të mbetura, është shembur për t’i lënë vend një godine shumëkatëshe.
Vila, ku prej disa vitesh ishte vendosur Universiteti jopublik Metropolitan, është shembur ditët e fundit.
Nga tabela e punimeve vënë rreth zonës, aty parashikohet të ndërtohet një pallat 13 katësh, i quajtur ‘Stairway to the Sky Palace’. Leja e ndërtimit është dhënë nga kryebashkiaku Veliaj më 28 dhjetor 2019 për kompaninë Metro Design.
Ky është pallati i katërt që po ndërtohet aktualisht në rrugicat e ngushta të ish-Bllokut. Shumë pranë saj, në vilën ku ndodhej lokali Dada, po ndërtohet një tjetër godinë shumëkatëshe.
Pak metra me tutje, ka nisur ndërtimin Blloku Cube, kompleksi shumëfunksional në kryqëzimin e rrugëve Pjetër Bogdani e Vaso Pasha projektuar nga Stefano Boeri.
Ndërsa godina West Residence, sërish projektuar nga Stefano Boeri, po ndërtohet pas Presidencës.
Ndërkohë në gjithë Tiranën, bashkia u ka dhënë lejen dhjetra kullave të cilat kanë hapur kantieret e ndërtimit përgjatë rrugëve dhe shesheve kryesore të kryeqytetit.
Të paktën 12 kulla janë në ndërtim me një lartësi mesatare prej rreth 20 katesh, ndërsa projekte të tjera mbeten në pritje për t’u miratuar.