Sheshi Skënderbej – Një tjetër dështim

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Sheshi Skënderbej – Një tjetër dështim

Më 10 qershor do të përurohet Sheshi “i rinovuar” Skënderbej. Ky do të jetë përfundimi i një projekti që filloi në vitin 2008 me një konkurs ndërkombëtar arkitekture i hapur nga kryebashkiaku i atëhershëm i Tiranës, Edi Rama,  ku fitues u shpall firma arkitekturore belge 51N4E dhe ish-studenti i Ramës, Anri Sala.

Në qendër të sheshit, projekti parashikonte një piramidë të ulët, lartësia e të cilës rritet nga baza në majë me vetëm 1,8 metër.  Ndryshe nga koncepti origjinal i vitit 2008, tashmë sheshi do të rrethohet nga një korridor me pemë.

Koncepti në total nuk duket shumë keq. Piramida e ulët, ngjitja e së cilës nuk duket se është shumë e vështirë, pasqyron Piramidën e Enver Hoxhës, vetëm pak kilometra larg qendrës, në bulevardin kryesor. Kryeministri Rama njoftoi qytetarët se sheshi do të jetë i shtruar me pllaka guri të marra nga “gjithë trojet shqiptare”, duke përfshirë dhe zonat nga Kosova e Maqedonia.

Por i gjithë suksesi  i konceptit bazohet në ekzekutimin dhe tek balancimi i asimetrisë së sheshit me simetrinë e qendrës historike të qytetit. Ashtu si qilimi persian tek The Big Lebowski, sheshi duhet të lidhet bashkë me trashëgiminë arkitekturore nga e cila rrethohet: Xhamia osmane e Et’hem Beut, Banka italiane e Shqipërisë, Muzeu Historik Kombëtar e Pallati i Kulturës i periudhës komuniste. Kjo është, në fakt, sfida kryesore arkitektonike e kujtdo që kërkon të rinovojë sheshin. E si gjithmonë, sekreti është tek zbatimi. Dhe zbatimi në rastin konkret është një dështim!

Pak ditë më parë e vizitova sheshin dhe u “ngjita” tek piramida. Ajo që menjëherë bie në sy është se tre nga katër ndërtesat kryesore së shpejti do të jenë të padukshme pas një muri me pemë. Ndryshe nga projekti i vitit 2008, tashmë pemët do të mbillen përpara Muzeut Historik Kombëtar, Pallatit të Kulturës dhe Bankës së Shqipërisë. Kështu, një aspekt unik i sheshit, kombinimi i stileve arkitekturore dhe historisë nuk do të jetë më i dukshëm sapo pemët të rriten pak. Sheshi do të jetë i izoluar tërësisht nga historia arkitektonike sikur të ketë ardhur nga ndonjë planet tjetër.

Së dyti, ndonëse e bukur në letër, piramida në vetvete nuk funksionon. Ka shumë detaje në të gjitha anët e saj që prishin idenë e piramidës: shkallët që zgjaten drejt Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Kombëtar, kodra e ulët në të cilën është ndertuar Xhamia apo i gjithë “depresioni” pa asnjë kuptim pas statujës së Skënderbeut. Për shkak të luhatjeve të terrenit, efekti që është dashur të jepet me piramidën – si me një ndërhyrje formaliste që kemi të bëjmë, – ai i vijëzimit të horizontit nuk dallohet fare. Ky koncept do të kishte funksionuar shumë mirë në vendet e ulëta si Hollanda, ku toka është tërësisht e sheshtë. Në një terren si ai i qendrës së Tiranës, koncepti thjesht nuk funksionon.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, me komunikimin e tij tipik, tha se fëmijët mund të argëtohen duke rrëshqitur  tek piramida. Por edhe nëse gjatë dimrit nuk ngrin, ajo është gjithsesi shumë e ulët për tu argëtuar.

Pllakat “nga të gjitha trojet shqiptare” janë sinqerisht një mashtrim total. Po, ka shumë pllaka të ndryshme, por ato janë të përziera në mënyrë të rastësishme, kështu që e gjithë sipërfaqja e sheshit duket si një dysheme banjoje, shumë e lirë madje. Gurët nuk janë prerë apo lëmuar siç duhet, dhe shumë prej tyre tregojnë gjurmë të prodhimit masiv industrial. Duket thjeshtë shumë keq!

Në “krye” të piramidës, ka disa gurë me mbishkrime, që tregojnë se nga ku vijnë pllakat. Kjo do të ishte një prekje e këndshme, nëse dy pllaka gjigande në mes të sheshit të mos kishin të stampuar logon e “Fusha” shpk.

Kompania e cila në mënyra aspak transparente ka përfituar 12,6 milionë euro nga paratë e taksapaguesve, guxon të vendosë emrin në majë të piramidës. Është një simbol i mirë për të treguar fuqinë që oligarkët kanë në Shqipëri, pa dyshim duke pretenduar se punët e paguara me para publike janë të tyret.

Madje dhe egjiptianët mijëra vjet më parë e dinin se një piramidë ka nevojë për gurë të prerë në mënyrë specifike në  skajet e saj. Duket se kjo pjesë e njohurive nuk ka arritur tek kompania e ndërtimit, e cila vendosi të ndërtojë katër skajet e piramidës me pllaka të sheshta të zakonshme. Rezultati është që skajet nuk janë të mprehta por ndjekin një vijë zigzage me pllaka që dalin sa majtas e djathtas. Vizualisht kjo duket jashtëzakonisht shumë shëmtuar, sidomos po të kemi parasysh se formalizmi i projektit është shumë i rëndësishëm. Që tani mund të parashikohet se pllakat e dala do të jenë pika e dobët e piramidës dhe të parat që do të thyhen. Rezultati do të jetë edhe më i shëmtuar se vetë pllakat e dala.

Të shtunën, kryeministri Edi Rama do të marrë të gjitha meritat për “shkëlqimin” dhe “gjenialitetin” e këtij projekti. Por e vërteta e trishtuar është se miliona euro u shpenzuan për sakrifikimin e unitetit arkitektonik të qendrës së qytetit, duke thyer simetrinë e aksit veri-jug për një tentativë formaliste që nuk funksionon dhe është ekzekutuar keq. Shumë e trishtueshme!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>