Sheshi Veliera, betonizohen zbulimet arkeologjike të periudhës romake

Sheshi Veliera, betonizohen zbulimet arkeologjike të periudhës romake

Është mbuluar me beton një nga strukturat e zbuluara nga sondazhet arkeologjike, pas nisjes së zbatimit të projektit “Veliera”, në qytetin e Durrësit. Shtresat e betonit kanë mbuluar sondazhin numër 3, që sipas Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA), struktura është një “pilastër romak” (që shërbente për mbajtjen, përforcimin e murit, ku supozohet prania e një porte).

Blogu Amfora ka fotografuar betonizimin e zbulimeve arkeologjike të zbuluar pak muaj më parë gjatë punimit për ndërtimin e sheshit Veliera.

Mendohet se kjo strukturë, që është vijimi i murit rrethues të qytetit, i përket shekullit të II pas lindjes së Krishtit.

Arkeologët nuk kanë mundur të kryejnë të plotë sondazhin arkeologjik në këtë zonë për shkak të vijimit të punimeve nga kompania ndërtuese dhe për shkak të mosndalimit të qarkullimit të makinave.

Kompania ndërtuese shprehet se disponojnë një vendim të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, që thotë se do të lihen disa gropa (dritare me xham) për të parë strukturat e mbuluara.

Por këto dy hapësira ngjasojnë tërësisht si “puseta” dhe pozicioni i tyre përveç se është larg strukturës së betonizuar, nuk lejon shikimin brenda saj.

Ndërsa Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë zyrtarisht nuk ka bërë publik asnjë vendim të tij mbi këtë pretendim të firmës private dhe hera e fundit kur KKA-ja ka publikuar një vendim, është muaji Maj.

I gjithë procesi i rindërtimit të sheshit Veliera, përveç dëmtimit të trashëgimisë kulturore, është shoqëruar dhe me shkelje ligjore dhe mungesë të transparencës.

Ky projekt nisi më nëntor të viti 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë. Ai do të kushtojë rreth 18.3 milionë euro. Në total, 40 për qind e të gjithë buxhetit të viti 2017 të Bashkisë Durrës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>