Vendimi i sotëm i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të shkarkuar nga detyra kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja tregoi qartësisht se “urgjenca” me të cilën qeveria, BE-ja dhe SHBA-të nxitën formimin e paligjshëm të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë ka qenë e papjekur dhe e rrezikshme.
Bazuar në dispozita ligjore të cilat bien ndesh me përcaktimin e Kushtetutës për “procesin e plotë të rivlerësimit/vetingut” — sipas të cilit kalimi i vetingut quhet i plotë kur është marrë vendimi në të dyja shkallët, KPK dhe KPA — javën e fundit u formuan tre insitucionet më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë: Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).
Me vendimin për të shkarkuar nga detyra Bashkim Deden, Kolegji i Apelimit tregoi se hedhja poshtë e një vendimi të KPK-së nuk është thjesht mundësi teorike dhe dëshmoi se KPA po përmbush funksionet e saj si kontrolluesi vendimtar i vendimeve të KPK-së.
Bashkim Dedja u zgjodh anëtar i KED-it si përfaqësues i Gjykatës Kushtetuese edhe pse çështja e tij ishte ende në shqyrtim në Kolegjin e Apelimit. Disa anëtarë të tjerë të KED-it, gjithashtu, janë në pritje të vendimit përfundimtar te KPA-së nëse do të jenë apo jo pjesë e sistemit të drejtësisë, ndërsa të tjerë nuk janë përballur ende me vetingun.
Me shkarkimin e Dedes, KED mbetet me 7 anëtarë nga 9 që parashikon Kushtetuta, dhe tre prej tyre ende nuk kanë kaluar vetingun, ndaj nuk mund të ushtrojnë detyrën në të. Në të vërtetë, i mbetur me vetëm katër anëtarë efektivë, KED nuk mund të mblidhet dhe të mund të marrë vendime.
Situata në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është e ngjashme me atë të KED-it. Komisioneri Publik ka apeluar vendimet për konfirmimin në detyrë të Gentian Osmanit dhe Antoneta Sevdarit, për të njëjtat arsye për të cilat u shkarkua Dedja: mosjustifikim të pasurisë.
Për shkak se KED nuk mund të zgjedhë anatarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, deri sa të gjithë kandidatët të kalojnë procesin e vetingut, largimi i Dedes nga KED-i nuk sjell ndonjë dëm të ndjeshëm.
Por jo e njëjta gjë mund të thuhet për anëtarët e KLP-së të cilët akuzohen për korrupsion dhe, në muajt e ardhshëm, do të kenë ndikim në formimin e prokurorisë shqiptare. Osmani, Sevdari dhe kolegët e tyre (disa prej të cilëve nuk përmbushin kriteret) do të zgjedhin Prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe do të formojnë Prokurorinë Speciale (SPAK) dhe Byronë Kombëtare të Hetimeve (BKH).
Për më tepër ekziston dhe një rrezik tjetër serioz, krijimin e një rrethi vicioz që bllokon zbatimin e reformës në drejtësi: ligji parashikon se anëtarët e KLP-së mund të shkarkohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese, por për momentin nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Pra, edhe nëse Osmani dhe Sevdari shkarkohen nga KPA — zhvillim për të cilin tashmë ka një precedent – është e paqartë nëse ata mund të shkarkohen nga KLP-ja. Ky është rezultat i një reforme të shkruar keq dhe me nxitim. Dhe, si gjithnjë, askush nuk do të mbajë përgjegjësi për të!