Që nga shkarkimi i Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit më 26 korrik, Gjykata e Lartë është zyrtarisht pa kryetar dhe me vetëm një gjyqtar të vetëm të mbetur, Ardian Dvorani. Dvorani është njëkohësisht anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Zaganjorin në korrik 2018, pavarësisht problemeve të shumta në deklarimin e pasurisë – në vendimin e KPK-së shkruhej se megjithëse disa nga kontratat e shitjeve të pasurive të paluajtshme të paraqitura nga Zaganjori mund të kenë qenë “false”, ai “nuk ka synuar të mashtrojë” shtetin, por ka bërë evasion fiskal ‘të ligjshëm’ . KPA tani vendosi të mos e justifikojë Zaganjorin.
Gjatë një viti, mes konfirmimit dhe shkarkimit përfundimtar të tij, Zaganjori ka pasur shumë ndikim në zbatimin e reformës në drejtësi, veçanërisht ai kishte rol kryesor në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj) në dhjetor 2018. Ky është vetëm shembulli i radhës ku një magjistrat që duhet të ishte shkarkuar që në krye të herës nga KPK, ka ndikim në sistemin e ri të drejtësisë “të reformuar”.
Kolegu i Zaganjorit, Ardian Dvorani, pak kohë më parë deklaroi se “nuk do t’i bënte nder procesit” nëse anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të miratuar nga KED-i, do të shkarkoheshin më vonë nga institucionet e vetingut dhe do të detyrohen të lirojnë vendet e tyre. As roli i rëndësishëm që Zaganjori pati gjatë këtij viti, ‘nuk i bën nder procesit’.
Zaganjori është magjistrati i katërt i shkarkuar teksa ka qënë pjesë e institucioneve të reja të drejtësisë. Më herët, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja u shkarkua nga puna pasi ishte zgjedhur në KED. Antoneta Sevdari u shkarkua nga puna, teksa ishte anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ndërsa së fundmi, një tjetër anëtar i KLP-së, Gentjan Osmani, u shkarkua nga KPA. Deri në shkarkimin e tij, Osmani u përfshi në procesin e vetingut dhe renditjes së kandidatëve për Prokurorinë Speciale SPAK.
Si mundet që një magjistrat i shkarkuar me vendim të formës së prerë nga institucionet e vetingut të jetë përfshirë në krijimin e KLGj-së? Si mundet që një magjistrat i shkarkuar të mund të diskutojë për kandidatët për SPAK, mbi të cilat mbështeten të gjitha shpresat e ndërkombëtarëve? Këto shkarkime nuk janë gjë tjetër veçse një shenjë se ligjvënësi dhe “ekspertët e tij juridikë” ndërkombëtarë kanë dështuar plotësisht në hartimin e ligjeve që do të siguronte një reformë të besueshme në drejtësi.
E gjithë ideja e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë ishte që anëtarët e saj duhet të kalonin vetingut para se ata të bëheshin vendimmarrës për të tjerët. Por ligjet e shkruara keq, nxitimi dhe mosrespektimi i afateve ka bërë që në të vërtetë të ndodhë e kundërta.
Si rezultat, në këtë të ashtuquajtur “fazë kyçe” të reformës në drejtësi – cila fazë nuk është kyçe? – është duke u bërë gjithnjë e më e qartë se institucionet e sistemit të drejtësisë janë drejtuar nga ata që duhej të përjashtoheshin që në fillim nga sistemi i drejtësisë.