Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Apelit Shkodër, Selim Kryeziu për shkak të problemeve me pasurinë dhe figurën.
Vendimi u mor nga Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine.
Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti disa probleme me deklarimin e pasurisë:
– Mosjustifikimi i të ardhurave të personave që gjyqatari i kishte marrë hua 20 mijë euro – pyetur për dokumentet që vërtetojnë se personat e tretë kishin mundësi financiare për të dhënë këtë hua, gjyqtari ka dorëzuar dokumente që tregojnë të ardhurat e tyre, por që i përkasin një periudhe më të vonë se kur është marrë huaja.
– Për disa vite analiza e pasurisë së gjyqtarit dilte me bilanc negativ, në total 5,6 milionë lekë.
– Deklarime të pasakta pasurie ndër vite.
– Rritjen fiktive të çmimit të një apartamenti në Librazhd – gjyqtari e ka deklaruar se e ka blerë 600 mijë lekë, por dokumentet tregonin se e ka blerë për 437 mijë lekë. Tre ditë pas blerjes, gjyqtari e ka shitur apartamentin për 1.4 milion lekë.
Edhe DSIK dha vlerësim negativ për figurën e gjyqtarit dhe rekomandoi se ai nuk është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën, pasi e akuzon gjyqtarin për tre raste mitmarrje dhe për përfshirje aktive në korrupsion.