Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra të mërkurën gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Desart Avdulaj.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Xhensila Pine dhe Brunilda Bekteshi.
KPK gjeti probleme me pasurinë e gjyqtarit me justifikimin e burimit të ligjshëm për një hua 70 mijë euro, të marrë nga katër persona – dy vëllezër, një kushëri dhe një i njohur.
KPK ngriti gjithashtu dyshime mbi pronësinë e fshehur të një makine të blerë nga i vëllai dhe pamundësinë financiare në disa vite.
Desart Avdulaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2013, ai ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit.