Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra gjyqtaren e Apelit Tiranë, Flutura Skëndëri, për shkak të problemeve me pasurinë.
Vendimi u mor nga Pamela Qirko, Lulzim Hamitaj dhe Valbona Sanxhaktari.
Gjatë hetimit administrativ, gjyqtares iu gjetën pasaktësi në deklarimet e pasurisë dhe një balancë negative, pra shpenzime më shumë se të ardhura në vlerën e 2,8 milionë lekëve.
Gjyqtarja nuk kishte deklaruar disa transaksione të kryera gjatë viteve 2004-2005 lidhur me shitjen e një apartamenti dhe shlyerjen e një kredie. Deklarime të pasakta u gjetën edhe për blerjen e shtesës së apartamentit.
KPK ngriti dyshime për situatë të konfliktit të interesit në gjykimin e dy çështjeve, ndaj një kompanie ndërtuese,në pallatet e së cilës Skënderi ka blerë apartamentin e saj.
Sipas Komisionit, Skënderi ka qenë pjesë e trupit gjykues që ka shqyrtuar këto dy çështje në vitet 2015 dhe 2016 dhe nuk ka deklaruar gjendjen në situatën e konfliktit të interesit, pavarësisht se ka qenë në marrëdhënie kontraktuale me shoqërinë ndërtuese. Kjo shoqëri ndërtuese ka qenë dorëzanëse edhe për një kredi që ka marrë gjyqtarja Skënderi.
Gjyqtarja i mohoi këto gjetje duke thënë se me kompaninë ndërtuese i kishte mbyllur marrëdhëniet në vitin 2009, ndërsa gjyqi ka qenë në vitet 2015-2016.
Gjyqtarja Skënderi u vlerësua pozitivisht për pastërinë e figurës.