Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shkarkoi sot prokurorin Besnik Canin duke lënë me 10 anëtarë Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
KPA arsyetoi vendimin me faktin se Cani kishte probleme me deklarimin e pasurisë.
Prokurori Cani u konfirmua fillimisht në detyrë më 27 nëntor 2018. Dy javë më vonë, ai u zgjodh anëtar i KLP-së.
Vendimi i konfirmimit në detyrë u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe Komisioneri Publik.
ONM qe shprehur se prokurori Cani kishte dy raste të qarta konflikti të interesit. Cani e ka cilësuar si të padrejtë largimin nga drejtësia pas 26 viteve kontribut:
“Nuk është i drejtë largimi im nga radhët e drejtësisë pasi kam 26 vite që kontribuoj, pasi kemi luftuar çdo ditë më krimin e organizuar”.
Kjo është hera e dytë që ky KLP mbetet me 10 anëtarë për shkak të shkarkimeve nga vettingu. Më parë kjo gjë ka ndodhur kur Gentian Osmani u shkarkua nga detyra në korrik 2019.
Në vend të Osmanit në nëntor 2019 u zgjodh Esmeralda Cami, ish-drejtuese e Prokurorisë së Dibrës.
(Lexo këtu: Komisioneri Publik: Kontrata mes prokurorit Cani dhe kompanisë Kastrati, konflikt interesi).