Kontrolli i dyshimtë që ministria përdori për pezullimin e rektorit të UT

Kontrolli i dyshimtë që ministria përdori për pezullimin e rektorit të UT

Më 13 prill 2019, Ministria e Arsimit Besa Shahini pezulloi rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni me arsyen e shkeljes së rëndë të Ligjit të Arsimit të Lartë.

Urdhëri i pezullimit bazohet në gjetjet e një kontrolli të marsit 2018 të një grupi kontrolli të Ministrisë mbi zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë.

Raporti i kontrollit rendit një sërë problemesh të gjetura, të cilat ne po i përshkruajmë më poshtë.

1. Rektori ka nxjerrë dy urdhëra drejtuar Fakultetit të Drejtësisë për t’i kërkuar hartimin e rregullores së fakultetit. Sipas grupit të punës, këto dy urdhëra bien ndesh me ligjin sepse kompetencën për të miratuar rregulloren e fakultetit e ka Senati Akademik. Në fakt Rektori thjesht ka kërkuar që të miratohet rregullorja që është detyrim ligjor dhe nuk ka miratuar rregullore. Pra, gjetja e grupit yë punës që Rektori ka shkelur kompetencat e Senatit të Fakultit Juridik duket e pavend.

2. Rektori ka kundërshtuar vendimin e Bordit të Administrimit të Universitetit të Tiranës për t’i kaluar Kancelarit kompetencat që ligji ja njeh Administratorit. Para hyrjes në fuqi universitetet kanë patur kancelar, post i cili është zëvendësuar me atë të administratorit. Në vend që të zgjidhte administratorin menjëherë, Bordi ka vendosur që kompetencat e administratorit t’i ushtronte përkohësisht Kancelari.

Ligji nuk përcakton askund që Bordi mund të delegojë kompetencat e Administratorit tek një person tjetër, në asnjë rrethanë.

Konflikti midis Rektorit dhe Bordit të Administrimit është çuar për zgjidhje në gjykatë—Gjykata Administrative e shkallës së parë i ka dhënë të drejtë Bordit, ndërsa çështja është tani në shqyrtim nga gjykata e shkallës së dytë.

Por në shpërfillje të shqyrtimit gjyqësor, grupi i punës së Ministrisë ka marrë përsipër që ta vendosë vetë që Rektori ka shkelur përgjegjësitë e tij ligjore. Kjo do të thotë që grupi i punës i ka dhënë vetes kompetencat e gjyqësorit.

3. Rektori ka pezulluar nga detyra Kancelarin e UT-së, duke qenë se Ligji për Arsimin e Lartë nuk e njeh më kancelarin dhe kancelari nuk mund të ushtrojë kompetencat e Administratorit, sikurse është sqaruar më sipër. Por grupi i punës e ka marrë për të ligjshëm vendimin e Bordit të Administrimit, dhe ka quajtur të paligjshëm vendimin e Rektorit për të shkarkuar Kancelarin.

Gjetja e grupit të punës është edhe më e habitshme, nisur nga fakti se kjo çështje nuk ka më asnjë vlerë praktike, duke qenë se Bordi i Administrimit më në fund zgjodhi Administratorin e UT-së në dhjetor 2017, i cili ishte në detyrë në periudhën e kontrollit të Ministrisë.

Një akt që nuk ka më fuqi juridike, që për më tepër është në gjykim gjyqësor, nuk mund të gjykohet nga një grup pune i posaçëm.

Në një veprim, në dukje paradoksal, në mungesë të emërimit të Administratorit nga Bordi i Administratorit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në mars 2017, Rektori ka shkarkuar kancelarin e këtij fakulteti dhe ka emëruar një kancelar të ri. Ky emërim është gjetur me të drejtë në shkelje të kompetencave të tij nga grupi i punës, pasi Rektori ka përdorur një pikë të Statutit të Unviersitetit i cili bie ndesh me Ligjin dhe nuk mund të aplikohej.

4. Rrjeti informatik i Universitetit të Tiranës ka rreth dy vjet që nuk funksionon, për shkak se ai është nën sekuestro nga Prokuroria për shkak të një hetimi. Rektori ka pohuar se një nga sekretarët e rektoratit ka hedhur gabim të dhëna në sistemin elektronik  të Universitetit dhe pas kësaj hedhjeje ajo i ka fshirë të dhënat. Rektori i ka bërë kërkesë firmës BNT Electronics, kompania e cila mirëmban rrjetin, për të rikuperuar të dhënat e fshira. Kompania ka refuzuar kërkesën e Rektorit. Pas këtij refuzimi, Rektori i Universitetit ka bllokuar aksesin fizik në sallën e serverit të sistemit për të mos lejuar asnjë ndërhyrje as nga drejtori i IT-së dhe i Burimeve Njerëzore.

Për këtë arsye Kancelari, i cili në mënyrë të dyshimtë ishte ngarkuar me të drejtat e Administratorit, ka paditur në prokurori Rektorin. Prokuroria ka sekuestruar rrjetin deri në mbarimin e hetimit, i cili, në mënyrë krejt absurde, ka dy vjet që vazhdon.

5. Grupi i punës ka arritur në përfundimin se ka patur parregullsi në marrjen në punë të personelit.

Së pari, grupi pretendon se shpalljet publike për vende të lira pune nga Rektorati kanë qenë të mangëta, sepse në to nuk përcaktohej mënyra e vlerësimit apo pesha në vlerësim e intervistës së kandidatëve.

Së dyti, grupi ka gjetur gjithashtu shkelje në kontrata pune me personelin akademik: në 12 kontrata pune nuk është përcaktuar grada shkencore, ose nuk është vënë numri i protokollit, ose numri i orëve mësimore.

Së treti, grupi i punës ka gjetur se për shkak të mosmarrëveshjeve midis Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë dhe Rektorit, ky i fundit nuk ka nënshkruar disa kontrata një-vjeçare me kandidatë fitues për personel akademik në vende pune.

Ligji për Arsimin e Lartë ja njeh kompetencën Rektorit të nënshkruajë ose jo kontratat dhe mënyra e vetme e kundërshtimit të kësaj kompetence është ajo gjyqësore. Kjo gjë ka ndodhur me një rast të çuar në gjykatë nga Fakulteti i Ekonomisë. Shkalla e parë e gjykimit ka vendosur detyrimin e Rektorit për të nënshkruar, ndërsa çështja është apeluar në shkallën e dytë.

Së katërti, grupi i punës ka konsideruar shkelje të rektorit mosnënshkrimin e disa kontratave që kanë të bëjnë me personel ndihmës akademik. Por kontratat që i referohet grupi i punës janë të pavlefshme sepse ato janë hartuar nga Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, i cili ia ka dërguar ato për nënshkrim Rektorit—Ligji ja njeh të drejtën e hartimit të kontratave Rektoratit, duke qenë se punëdhënësi i të gjithë personelit në çdo universitet është rektorati përkatës.

Është sërish e paqartë se pse grupi i punës e ka quajtur shkelje ushtrimin e kësaj kompetence nga Rektorati.

Së pesti, grupi i punës ka gjetur 4 raste që Rektori ka ripërtërirë kontrata pune duke e konsideruar këtë gjë kapërcim të kompetencave të tij, ka zgjidhur kontrata me personelin administrativ ose ka shtyrë kohën e daljes në pension të disa personave administrativë.

Për të kuptuar përmasat e këtyre shkeljeve të pretenduara duhet theksuar se në Universitetin e Tiranës punojnë mbi tre mijë punonjës akademikë dhe administrativ.

6. Grupi i punës ka gjetur në kapërcim të kompetencave të tij lidhjen nga Rektori të katër kontratave të shërbimit dhe mallrave. Një kontratë ka të bëjë me shërbimin e sigurisë fizike, një për kontratën dhe pastaj një tjetër shtesë kontrate për blerje mobiljesh, dhe e katërta për një blerje në vlerë të vogël që bëhet pa tender.

Kompetencat për firmosjen e këtyre kontratave ligji ja njeh Administratorit dhe jo Rektorit, por në kohën e nënshkrimit Administratori nuk ka qenë ende i zgjedhur, dhe në detyrë ka qenë kancelari.

Edhe kjo çështje është pjesë e gjykimit në Gjykatën e Apelit Administrative të Tiranës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>