Shkodër, vazhdojnë vrasjet kriminale mes bandave

Nga Exit News
Shkodër, vazhdojnë vrasjet kriminale mes bandave

Policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin, 32 vjeç për vrasjen me 6 plumba të Enrit Mustafës, të hënën në zonën e Livadheve në Shkodër. Ndërsa arrestoi një djalë 15-vjeçar si bashkëpunëtor në krim.

Si u vra Endrit Mustafa?

Të hënën u gjet i vrarë me 6 plumba 32 -vjeçari, Endrit Mustafa, në zonën e Livadheve në Shkodër. Mustafa sipas medias, u dhunau përpara se të qëllohej me 1 plumb në gojë, 2 në kokë dhe 3 në gjoks. Familja e ksihte shpallur të humbur prej 3 ditësh.

Policia shpalli në kërkim autorin e ngjarjes Ibrahim Lici, dhe arrestoi një i mitur, 15-vjeçari Ergys Malja, si bashkëpunëtor i tij edhe Edison Arazi, si person me dijeni për ngjarjen.

Ibrahim Lici dyshohet edhe për vrasjen e vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali në Shkodër, më 30 mars të vitit 2019.

Mustafa ishte pjesë e bandës së Asmir Bilalit. Në vitin 2016 Mustafa u arrestua për vjedhje, plagosje dhe kërcënim ndaj një biznesi në Shkodër.

Pas deklaratës së Policisë, i jati i Ibrahim Licit e mohoi këtë akuzë. Ai akuzoi fisin Bajri dhe Astmer Bilalin për vrasjen e Mustafës me qëllim fajësimin e djalit të tij. “Ne kemi si prova kamerat në çdo moment ku hamë ku rrimë”, u shpreh Mustafa Lici.

Bashkëshortja e Endrit Mustafës ka deklaruar dy herë për median se Ibrahim Lici dhe fisi i Bajrave nuk janë vrasësit e Mustafës. Ajo u shpreh se nuk kishin konflikte me asnjë prej familjeve. Bashkëshortja e viktimës u shpreh se djali 15-vjeçar e dinte të vërtetën.

Vrasja e vellezërve Bilali dhe nisja e vrasjeve në Shkodër:

Në 2019, në Shkodër u vranë dy vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali. Ibrahim Bilali, 61 vjeçar, ishte drejtues i shoqatës “2 Prilli 1992”, ndërsa vëllai i tij, Astriti 59 vjeçar, ishte kampion i garave të hipizmit.

Policia dyshoi se vrasja u krye për hakmarrje dhe përplasje mes grupeve kriminale si dhe aktivitetin e djalit të Astrit Bilalit, Asmirit, një ish-kampion i sportit të boksit, i arrestuar në shtator të vitit të kaluar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”.

Përplasjet e bandave në Shkodër nisën në 13 janar të 2018 me vrasjen e Lulzim Kullës.

Në këtë atentat, të kryer fare pranë tregut më popullor të qytetit, mbetën të plagosur 8 persona, mes të cilëve edhe vetë Kulla.

Ngjarja u pasua nga atentate të njëpasnjëshme ku, deri tani, kanë mbetur të vrarë 9 persona ndërsa dy të tjerë figurojnë të zhdukur.

Vrasjet kriminale në Shkodër:

13 janar 2018, atentat kundër biznesmenit Lulzim Kulla në afërsi të tregut popullor të qytetit të Shkodrës.

Qershor 2018, zhduken pa gjurmë Gëzim Hysa dhe nipi i tij Agron Molla.

18 qershor, ekzekutohet me armë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi.

15 korrik, vriten në një atentat, në hyrje të banesës, ish-polici Boran Bercana dhe Silvi Ndoci, bashkëjetuese me të.

8 gusht 2018, vritet Fatbardh Lici, kunati i Lulzim Kullës dhe vëllai i Mustafë Licit. Ky i fundit këshilltar bashkiak dhe drejtues i një partie politike me shtrirje lokale.

1 shtator 2018, vritet biznesmeni Arjan Ferracaku teksa po kaloronte bashkë me Asmir Bilalin. Dyshohet se autorët e atentatit ngatërruan shenjestrën.

14 nëntor 2018, në tregun popullor të Rusit vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut.

20 mars 2019, në fshatin Grudë vritet Nard Polia, pronar i një bujtine në Theth, pjesëtar i administratës së Zonave të Mbrojtura.

30 mars 2019, vriten në derën e shtëpisë së tyre vëllezërit Bilali.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>