Shkollat me PPP – skemë e pastër klienteliste dhe korruptive

Nga Johannes Estrada
Shkollat me PPP – skemë e pastër klienteliste dhe korruptive

Në një shkrim gjatë javës së kaluar theksuam se Bashkia e Tiranës po ndiqte modelin e institucioneve të tjera në vend duke u angazhuar në projekte partneriteti publiko-privat (PPP), pavarësisht dëmeve që këto po shkaktojnë. Deri në atë moment dihej vetëm se Bashkia do angazhohej në një pagesë me këste për ndërtimin e shkollave.

Siç e shpjeguam gjatë shkrimit, kjo ishte një formë e ngjashme, por më pak e vlefshme, me investime të kryera nëpërmjet borxhit publik. Gjithsesi mbetej e paqartë se çfarë skeme specifike po mendonte Bashkia e me shumë gjasa do të zbulonim detajet në vijim.

një prezantim në datën 21 dhjetor, Drejtori i Çështjeve Ekonomike në Bashkinë e Tiranës, Enkelejd Musabelliu dha disa detaje më shumë për skemën në fjalë duke thënë se:

Taksa do të përdoret për të financuar një skemë partneriteti publik privat për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet. Partnerët privatë do të ndërtojnë me fondet e tyre 17 shkollat. Në momentin e dorëzimit të objekteve të ndërtuara Bashkia do u paguajë këstin e parë me paratë e mbledhura nga taksa e infrastrukturës arsimore dhe kështu me radhë për 7 vite, aq sa është edhe afati i kësaj takse.

Së pari, duhet theksuar se edhe pas kësaj deklaratë përsëri kemi një mungesë informacioni ndaj publikut. Në kontrata të tilla, siç thuhet shpesh, “djalli fshihet në detaje” dhe informacioni i deritanishëm mbetet i cunguar.

Së dyti, kritika ndaj kësaj marrëveshje, e shprehur në shkrimin e mëparshëm, është totalisht e vërtetë. Kjo lloj iniciative mund të financohet shumë mirë falë formës së zakonshme të borxhit publik, e cila është jo rastësisht forma më e saktë dhe e besueshme.

Për të kuptuar pse, fillimisht duhet theksuar se norma e interesit që paguan shteti shqiptar për borxhin publik është ndjeshëm më i ulët se normat e interesit me të cilat përballen biznese private. Kjo është akoma dhe më e vërtetë në ditët e sotme, në Shqipëri e në botë.

Më konkretisht, norma e interesit që qeveria duhet të paguaje për një bono 12 mujore është 3,02 për qind, rezultat ky nga ankandi më i fundit. Kjo normë në fakt është pak më e lartë se mesatarja e vitit për shkak se në dhjetor ka gjithmonë një tërheqje të bankave nga ankandet qeveritare dhe një rritje të lehtë të normave të interesit të bonove.

Nga ana tjetër, kjo normë mbetet dukshëm më e ulët se norma mesatare e kredisë 12-mujore për bizneset, që sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë është 6,8 për qind.

Nëse një kompani ndërtimi do të angazhohet për ndërtimin e një shkollë, për të cilën do paguhet për një periudhë të gjatë kohore, ajo me siguri do të duhet ta financojë këtë investim nëpërmjet një kredie bankare. Rrjedhimisht, kompanitë do të pranonin të bëheshin pjesë e kësaj skeme vetëm nëse pagesa totale nga ana e Bashkisë do ishte më e lartë se sa vlera e investimit plus interesat që ato duhet t’i paguajnë bankave gjatë kohës që paguhen për ndërtimin e kryer.

Është e totalisht e paqartë ama pse Bashkia duhet të ndërmarrë një nisëm të tillë meqë interesat që shteti shqiptar duhet të paguajë për të njëjtin investim janë më të ulëta!

Kjo na bën të besojmë se publikut akoma nuk po i thuhet e vërteta. Një shpjegim i mundshëm është se kjo skemë po përdoret për të kryer pagesa më të larta se çmimi i tregut për të krijuar përfitime korruptive.

Shpjegimi tjetër, dhe i ngjashëm me skemat e PPP-ve të promovuara nga qeveria aktuale, është që kompanitë e ndërtimit do përfitojnë avantazhe të tjera falë kësaj skeme, të cilat për momentin nuk po i tregohen publikut.

Ajo që mund të thuhet me qartësi është se skema e Bashkisë është totalisht e pashpjegueshme nga ana e financave publike. Ajo hedh poshtë skemën tradicionale të cilën kanë përdorur vendet e mbarë botës për të financuar ndërtimin e infrastrukturës publike në vite.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>