Katër persona të identifikuar me koronavirus janë zbuluar në 24 orët e fundit. 2 prej tyre janë mjekë të Spitalit “Shefqet Ndroqi”. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 42.
17 persona të infektuar janë të shtruar në spitalin Infektiv. Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja, një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Ndërsa 2 mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi” janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë vetë-izoluar. Deri më tani 17 mjekë të këtij spitali janë testuar për koronavirus si pasojë e kontaktit me një person të sëmurë, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin e Infektivit. Mjekët e rezultuar pozitiv janë vetë-izoluar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Informacioni i bë publik, të dielën paradite, në komunikimin e përditshëm të Institutit të Shëndetit Publik.
Në total, deri tani janë testuar 505 persona të dyshuar në vend.
Personat e sëmurë gjenden në këto qytete:
— Në Tiranë: 26 persona;
— Në Durrës: 5 persona, përfshi një të moshuar që ndërroi jetë;
— Në Fier: 5 persona;
— Në Lushnje: 2 persona;
— Në Elbasan: 2 persona;
— Në Rrogozhinë: 2 persona.
26 persona të infektuar janë në gjendje të mirë shëndetësore, të izoluar në banesat e tyre.