Shoqata angleze e futbollistëve kundër shkurtimit të pagave prej epidemisë

Nga Exit News
Shoqata angleze e futbollistëve kundër shkurtimit të pagave prej epidemisë

Kërkesa e klubeve për të shkurtuar me rreth 30 për qind pagat e futbollistëve në kohën e pandemisë së koronavirusit po kthehet në një çështje tejet të nxehtë në Angli.

Klubet e mëdha janë nën presion financiar, pasi aktivitetet janë ndërprerë prej rreth një muaji.

Në Itali dhe Spanjë klube të ndryshme kanë gjetur dakordësinë me shoqatat dhe futbollistët duke arritur marrëveshje për shkurtim deri në 70 për qind të pagave në mënyrë që epidemia të mos cenojë financiarisht futbollin.

Mirëpo në Angli kjo nuk po arrihet, pasi klubet nuk po gjejnë dot dakordësi me Shoqatën e Futbollistëve Profesionistë (PFA).

Kreu i PFA-së Gordon Taylor, pohoi në një intervistë radiofonike për BBC se futbollistët janë dakord të kontribuojnë për epideminë, se ata janë të vetëdijshëm që në kohën kur nuk ka aktivitet pagat e tyre janë shpenzime të mëdha për klubet, por që:

“[…] ata [futbollistët] nuk janë të vetëpunësuar, i paguajnë Thesarit [të shtetit] kontribute [shëndetësore] të çmuara, të cilat i nevojiten shumë shërbimit shëndetësor. Nëse futbollistët nuk paguhen, apo u shkurtohen pagat, po kështu do shkurtohen edhe kontributet [në Thesar] prej rreth 200 milionë paundësh në vit.”

PFA është një nga shoqatat më të mëdha të futbollistëve në botë. E formuar në vitin 1905 ajo numëron rreth 4 mijë futbollistë nga Anglia dhe Uellsi.

Taylor, 75-vjeç, nuk ka pranuar të shkurtojë as pagën e tij prej 2 milionë paundësh në vit si kryetar i PFA-së, të cilën e drejton prej vitit 1980.

“PFA do të përfshihet në fushata donacionesh” – iu përgjigj pyetjes direkte nëse do të pranonte shkurtimin e rrogës.

Klube si Liverpooli apo Tottenhami janë vënë seriozisht nën presion nga tifozët dhe ish-lojtarët.

Të kuqtë, kampionë Evrope, tërhoqën vendimin e tyre për të liruar nga puna disa nga stafi jo-sportiv.

Lirimi nga puna do t’i fuste ata në skemën e qeverisë britanike të mbështetjes me ndihmë ekonomike.

Mirëpo tifozët dhe ish-lojtarët e Liverpoolit e kanë kundërshtuar duke kërkuar që klubi të mbulojë vetë përgjegjësitë dhe të mos ia kalojë barrën fondeve publike.

Teksa njoftoi tërheqjen e vendimit, drejtori ekzekutiv i klubit, Peter Moore, kërkoi ndjesë.

Krejt ndryshe Tottenham, Newcastle, Norwich dhe Borurnemouth që kanë marrë vendime të ngjashme nuk janë tërhequr.

Në Skoci, futbollistët dhe stafi teknik i Rangers-it, ra dakord me klubin që të shtyjnë shlyerjen e pagave për 3 muaj me qëllim që gjithë stafi jo-sportiv të paguhet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>