Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë (SHASH) ka kundërshtuar arrestimin e të paktën 2 arkitektëve në lidhje me dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019 duke theksuar se profesioni i arkitektit nuk ka lidhje me cilësinë e projektimit apo të zbatimit por vetëm me volumin, funksionalitetin dhe estetikën.
Në një deklaratë drejtuar mediave, opinionit publik dhe 10 institucioneve – mes së cilave Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Avokatit të Popullit – SHASH i konsideron si të papranueshme për një shoqëri të lirë arrestimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës.
Më 15 janar policia njoftoi se kishte ndaluar 27 persona me urdhër të Prokurorisë. Ata ngarkoheshin me përgjegjësi për pallatet, të cilat pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit në rrethinat e Tiranës.
Mes të ndaluarve ishin të paktën 2 arkitektë. Gjykata e Tiranës rrëzoi shumicën e kërkesave të Prokurorisë dhe vlerësoi se 6 ndalime ishin kryer në mënyrë të paligjshme.
SHASH theksoi në deklaratën e saj se detyra e arkitektit – siç e parashikon licenca – nuk ishte marrë parasysh nga autoritetet.
“Sipas legjislacionit në fuqi, […] arkitekti nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore, që lidhen me hartimin e projektit konstruktiv të ndërtesës dhe për rrjedhoje nuk mund të ngarkohet me asnjë përgjegjësi ligjore dhe morale të lidhur me qëndrueshmërinë statike dhe sizmike tërësore apo pjesëve të veçanta të saj.”
Në deklaratën e saj SHASH thekson se mbetet në dispozicion për çdo ndihmë apo sqarim teknik profesional për autoritetet ligjzbatuese për të ndihmuar në saktësimin përgjegjësive profesionale të arkitektit.