Shoqata e të Përndjekurve Politikë kërkon hetimin e masakrës së 1951 në Tiranë

Nga Exit News
Shoqata e të Përndjekurve Politikë kërkon hetimin e masakrës së 1951 në Tiranë

Shoqata e të Përndjekurve Politikë kërkon nga Prokuroria e Tiranës hetimin e ngjarjes së vitit 1951 në Tiranë ku u pushkatuan 22 intelektualë, për të cilën ata kanë bërë kallëzim penal në vitin 2018.

Në një letër të hapur shoqata shprehet se pavarësisht se kanë dorëzuar padinë 3 vite më parë, prokuroria nuk ka zhvilluar hetimet pasi konsideron se autorët e krimit nuk janë më gjallë.

Sipas shoqatës kjo nuk është e vërtetë sepse një nga personat që ajo akuzon, Pilo Shanto, është ende gjallë, jeton në SHBA dhe disa ditë më parë ka publikuar një libër.

Në shkurt të vitit 1951, mbi 100 qytetarë u arrestuan në Tiranë për atë që njihet me emrin ‘ngjarja e bombës në ambasadën sovjetike’. Partia Komuniste përdori si pretekst hedhjen e një lënde plasëse në oborrin e ambasadës Sovjetike, për të kryer brenda natës arrestimet dhe një javë më vonë pushkatimin e 22 qytetarëve. Vendimi i gjykatës në fakt është i një dite më vonë pasi ishin kryer pushkatimet.

Shoqata e të Përndjekurve Politikë akuzon për hartimin e listave të të arrestuarve krerët e lartë të PKSH, Byrosë Politike, Sigurimit të Shtetit dhe krerët e Ministrisë së Brendshme në atë kohë. Pilo Shanto ka punuar Drejtor i Degës së Zbulimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme në këtë periudhë.

Sipas kallëzimit penal, krimet për të cilat ata akuzohen janë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Në letrën e hapur drejtuar prokurorit të çështjes Bajram Breçani dhe disa drejtuesve të prokurorisë dhe diplomatëve, shoqata e të përndjekurve kërkon nisjen e procedurave ligjore për ekstradimin e Pilo Shantos dhe vendosjen përpara drejtësisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>