Shoqata e Transportit paralajmëron rritje të çmimit të biletave në transportin publik

Nga Exit News
Shoqata e Transportit paralajmëron rritje të çmimit të biletave në transportin publik

Shoqata e Transportit Ndërqytetas paralajmëroi se do të ketë rritje të çmimit të biletave deri në 30 për qind, në rast se qeveria nuk ndërhyn për të ulur çmimin e karburantit apo me masa të tjera lehtësuese.

Kujtim Mema, kryetari i shoqatës, në një intervistë për Report Tv, tha se edhe pas rinisjes së punës, rregullat e reja të distancimit fizik do ta bëjnë të vështirë qarkullimin e pasagjerëve në të njëjtat ritme si më parë dhe se shumë kompani të transportit rrezikojnë falimentimin në rast se nuk rritet çmimi i biletave:

“Na kanë thënë si fillim të rinisë puna me gjysmë kapaciteti dhe me masat e sigurisë, maska dhe doreza.

Por jemi të trembur, pasi nëse do të shkojmë me gjysmë kapaciteti,  shpenzimet janë të mëdha dhe nuk përballohen dhe do të jetë e mundur, që të bëhet vetëm me një rritje 30% të biletës për të përballuar tatimet dhe një fitim minimal për ne që do të dalim në punë.

Me gjysmë kapaciteti, transporti është drejt falimentimit.”

Në emër të kompanive të transportit, Mema kërkoi ndërhyrjen e shtetit për të ulur çmimin e naftës dhe për t’i ofruar lehtësime kompanive:

“Lipset nevoja, nëse do të jetë periudhë një mujore apo nuk e di, që me një rritje bilete 30% ta zhvillojmë këtë linjë, në të kundërt nuk e di, nëse shteti do të na japë naftën më lirë. 

Të paktën të përgjysmohen taksat e bashkisë për këto muaj. Nuk përballojmë dot më. Qeveria të kthejë vëmendjen nga ne. Qeveria, transportit ndërqytetas ti japë një pagë edhe për muajin maj, pasi jemi të lodhur nga transporti informal.”

Përveç ndalimin të plotë të transportit të qytetarëve për shkak të pandemisë, në Shqipëri nuk është reflektuar as ulja e çmimit të naftës.

Kudo në botë, çmimi i naftës është ulur në nivele drastike, madje në nivelet më të ulta historike për shkak se magazinat e naftës janë plot dhe konsumi ka rënë ndjeshëm, por jo në Shqipëri.

Mbetja e çmimit të naftës i pandryshuar ka shkaktuar dhe protesta në Durrës e Sarandë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>