E ardhmja turistike për sezonin e verës në Shqipëri është në pikpyetje megjithatë përfaqësuesit e këtij sektori kanë propozimet e tyre për qeverinë për të krijuar sa më shumë mundësi që ata të ushtrojnë aktivitetin.
Gjatë një interviste për emisionin “Me Pak Fjalë”, Arben Çipa, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Turizmit në Sarandë, theksoi dy kërkesa kryesore për qeverinë.
“Do të propozoja që stafit që është i angazhuar në hoteleri t’i jepet prioritet pas vaksinimit të pedagogëve dhe mësuesve.”, tha Çipa duke argumentuar se vaksinimi i punonjësve të sektorit turistik i jep siguri shërbimit dhe afron më shumë të huaj.
Propozimi i dytë që Çipa deklaroi ishte një mbështetje financiare nga qeveria për punonjësit e regjistruar të hotelerisë, punonjësit e shërbimeve të ndryshme dhe kompanitë e transporteve.
“Nga qeveria presim një suport për mbijetesën”, u shpreh Çipa.
“Sinjalet që kemi nga partnerët tanë na rezulton se interesi është maksimal por fakti që drita jeshile e lëvizjes së lirë nuk po duket akoma krijon probleme dhe siguri për të gjithë palët”, shtoi ai.
Megjithatë Çipa tha se ka një arsye për të qenë optimist. Vaksinimi i moshave të treta në gjithë Europën është diçka pozitive pasi ato sipas tij pasi kjo grupmoshë përbën një pjesë të madhe të turistëve të huaj.
Kështu që ai nënvizoi se nëse merren masat e nevojshme dhe garantohet besimi i sektorit mund të tërhiqen ajo pjesë e turistëve që është pothuajse e sigurt që do të udhëtojë gjatë verës.