Qytetarë protestojnë kundër memorialit për viktimat turke

Qytetarë protestojnë kundër memorialit për viktimat turke

Qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile protestuan të martën kundër ngritjes së një memoriali në Parkun e Liqenit në përkujtim të viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në korrik 2016.

Nën vëzhgimin e një numri të madh policësh me uniformë dhe civilë, ata protestuan të qetë kundër vendimit dhe ngritjes në fshehtësi të memorialit në fjalë.

Policia tentoi të ndalonte me dhunë njërin prej protestuesve.

Lajmi për ngritjen e këtij memoriali shkaktoi komente dhe debate në publik, pasi qeveria dhe bashkia e kishin mbajtur të fshehtë vendimin dhe ndërtimin e tij.

Një peticion online, pas botimit të lajmit, kërkon heqjen e memorialit dhe të emrit të rrugës dhe parkut përkatës, për arsyet në vijim:

“Ngjarja që Bashkia ka vendosur të përjetësojë:

    • nuk ka domethënie apo rëndësi historike, kulturore apo shpirtërore për qytetarët shqiptarë;
    • nuk ka vlerë përkujtimore apo simbolike për brezat e ardhshëm;
    • nuk ka rëndësi historike apo kulturore botërore dhe nuk ka domethënie për vlerat e lirisë, demokracisë dhe përparimit njerëzor botëror;
    • nuk ka mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror mes qytetarëve të Tiranës.”

Nismëtarët e peticionit, që ka mbledhur 10 mijë firma, shtojnë se ata kanë dyshime se vendimet e Bashkisë Tiranë në këtë rast janë “shërbim personal ndaj Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, motivuar nga interesa të ngushta vetjake të Kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj” dhe ato janë “janë shkelje e sovranitetit të vendit dhe dhunim i krenarisë sonë kombëtare.”

Kur u pyet nga gazetarë për motivet, procedurat dhe vendimmarrjen për ngritjen e memorialit, Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj e anashkaloi përgjigjen.

Kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar ende ndaj shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me këto pika dhe me mungesën e plotë të transparencës për emërtimet dhe ngritjen e memorialit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>