U bë më shumë se një një javë mësuam për abuzimin seksual në grup të një vajze të mitur, nga disa bashkëmoshatarë të saj, në qytetin e Kavajës, dhe mund të thuhet, pa mëdyshje, se reagimet publike ndaj këtij krimi reflektojnë, pak a shumë, gjithçka të gabuar në vendin tonë.
Mësuesit dhe drejtuesit e shkollës që të miturit ndiqnin, dhe drejtoria arsimore vendore janë mjaftuar duke njoftuar prindërit, sikur krimi të ishte një problem vetëm vetjak që duhet të zgjidhej privatisht.
Në të njëjtën vazhdë edhe qeveria, e cila shqetësimin për shëndetin fizik dhe mendor të viktimës e ka anashkaluar fare, duke u përqendruar në sulme ndaj mediave dhe kundërshtarët politikë që ekspozuan të parët atë që kishte ndodhur, para se një sërë komentesh në rrjetet sociale të zbulonin se shumë kush në qytetin e Kavajës ka qenë në dijeni për ngjarjen kriminale.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zgjodhi të kalojë nga mbrojtja, duke pohuar se policia ka bërë punën e vet në momentin që është bërë denoncimi, në sulm duke akuzuar Partinë Demokratike, që e bëri publike e para rastin se po përpiqej të përfitonte politikisht nga fatkeqësia e vajzës.
Më pas, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, e cila, besnike ndaj skemës së ndjekur rregullisht nga qeveria për ngjarje të ngjashme, u përpoq ta ndikojë opinionin publik ta shohë ngjarjen si dashakeqësi të opozitës, të cilën ajo e akuzoi se po përdhoste privatësinë e viktimës dhe familjes së saj për kapital politik. Por Zonja Spiropali, në mënyrë të pashoq dhe të dënueshme, e quajti ngjarjen diçka normale që ndodh kudo e aq shpesh sa për të tilla raste bëhen filma.
Përkundër qëndrimeve të saj fillestare në publik, Elisa Spiropali bëri publik prindërit e viktimës duke u shfaqur në shtëpinë e tyre e ndjekur nga kamera e ERTV-së. Që andej ajo pohoi e se Kryeministri e kishte porositur të siguronte familjarët e vajzës se asaj do t’i sigurohej bursë për shkollim brenda apo jashtë vendit.
Videoja ku shfaqeshin qartë prindërit e viktimës, pra ku identifikohej e mitura e dhunuar, u postua nga vetë Kryeministri Rama, e shoqëruar me sqarimin:
“Ministrja dhe deputetja Elisa Spiropali, viziton familjarët e vajzës së mitur në Kavajë. Ata ndjehen të pambrojtur nga agresioni publik i politikës dhe medias dhe luten për respektimin e privatësisë së vajzës së tyre.”
Reagimi i ashpër publik e detyroi zonjën Spiropali të bënte një tjetër video për të abutur denoncimet e ashpra kudnër saj. Videoja u regjistrua nga një kënd lojrash, zgjehdur qëllimisht për t’u treguar tërthorazi qytetarëve se ajo është edhe nënë.
Në asnjë nga paraqitjet në publik të përfaqësuesve të qeverisë, nuk përmendet marrja e përgjegjësisë për dështimin e institucioneve arsimore apo ligjzbatuese për të zbuluar, raportuar e hetuar me seriozitet rastin e përdhunimit apo heshtjen e tyre fillestare edhe pse u infromuan për një krim të dënueshëm ashpër ligjërisht.
Ndërkohë në Kosovë, e cila javën e shkuar u përball me një rast të ngjashëm, Kryeminsitri Haradinaj në deklaratën e rastit u shpreh:
“Bashkëndiej me familjen e të abuzuarës dhe i siguroj që organet e drejtësisë do të merren me rastin seriozisht. Dua t’i falenderoj mediat për angazhimin e pandalshëm që të raportojnë për raste të tilla dhe të shtyjnë reagimin institucional dhe shoqëror. Apeloj te të gjitha vajzat dhe gratë, që janë cak i abuzimeve dhe kërcënimeve të kësaj natyre, të paraqesin rastet dhe të raportojnë dhunuesit.”
Dallimi me Kosovën, një vend ku jetojnë njerëz të të njejtit gjak dhe të njejtës kulturë, është i jahstëzakonshëm. Kryeminsitri ynë pasi ka mbështetur publikisht një kryetar bashkie të dënuar për përdhunim në grup të një të miture, vazhdon të mos tregojë as më të paktën e e reflektimit për krimin e rëndë që ka ndodhur m’u përpara syve të punonjësve publikë që kanë ëpr detyrë të mbrojnë fëmiëjt.
Përveç dështimit në ëprgjegjësinë e tij shtetërore dhe politike, Kryeminsitri ynë po dështon edhe në rolin e tij për të dhënë shembull pozitiv për qytetarët e tij, rol i cili përmbushet pikërisht përmes qëndrimeve publike mbi ngjarje apo tema delikate.
Shpërblimi i viktimës me para, edhe pse për një qëllim si shkollimi, dhe jo me drejtësi e përkujdesje, është mënyra skandaloze si qeveria jonë po përpiqet të ruajë apo blejë imazhin e saj. Por në këtë mënyrë ajo po ndikon negativisht në ndërgjegjësimin e një shoqërie që sundohet shpesh nga mendësia tribale dhe e dhunshme në marrëdhëniet me femrën.
Ndërkohë mediat, kanë trasmetuar kronikat e zonjës Spiropali, por kanë pretenduar se kanë ruajtur privatësinë e të miturës dhe familjes, duke përmbushur misionin e tyre për të informuar pa i rënduar viktimës.
Por shumica e mediave, të cilat nuk kanë bërë as një përpjekje minimale për të hulumtuar mbi rrethanat dhe shkaqet që kanë çuar në një krim të tillë disa mujor, apo për të hetuar për ata që kanë shëprfillur apo janë përpjekur të fshehin ngjarjen, nuk patën asnjë problem për të mbushur faqet dhe minutat e tyre me botimin e dëshmive në prokurori duke ekspozuar rregullisht detaje nga përdhunimi të cilat kanë dëmtuar më tej viktiminë dhe familjen e saj.
Edhe në emisionet mbëmësore të debatit përdhunimi është risjellë me çdo imtësi të veprimeve, të vendeve dhe amdje edhe të të miturve, të cilëve u është kursyer vetëm mos botimi i emrave.
Një televizon madje transmetoi edhe një videogramë që inskenonte përdhunimet, duke treguar banesat, inicialet e të miturve dhe ndodhinë, pa asnjë përfillje për viktimën dhe faktin se në qytetin ku ajo jeton, njerëzit mund t’i identifikojnë shumë lehtë personat, nisur nga përshkrimet e detajuara të vendeve.
Këto media, të cilay nuk kursejnë asnjë informacion të ndjeshëm nga botimi dhe nuk i oforjnë viktimave asnjë privatësi, na dhuruan, gjithashtu, ndër të tjera:
– deklaratën skandaloze të drejtoreshës së shkollës së mesme Sami Frashëri në Tiranë, e cila gjatë një emisioni u shpeh se “vajza e ka kryer gabimin disa herë”;
– deklaratën e nënës së njërit prej të miturve përdhunues se rasti po politizohet dhe se ajo që ndodhi ishte për shkak të moshës;
– një “letër” publike drejtuar personalisht vajzës, qarkulluar gjerësisht nga mediat online, në të cilën në mënyrë të tërthortë faji i vihej viktimës, duke i ofruar “këshilla” viktimës se çfarë ajo mund të kishte bërë për të shmangur dhunimin, duke shpërfillur rrethanat në të clat ndodhi ngjarja dhe moshën e të mitureës;
– thirrjet e disa personazheve publike se gjëja më e mirë për t’u bërë është heshtja e plotë;
– videon e zonjës Spiropali, pasi e kritikuan atë për… videon.
Mbulimi i ngjarjes nga mediat kryesisht përmes citimit të pohimeve dhe qëndrimeve të shumëkujt, për të hequr përgjegjësinë e hulumtimit dhe të gjykimeve apo vlerësimeve të veta morale dhe etik, aq të nevojshëm për të orientuar e edukuar lexuesin, ka ndikaur në legjitimimin e shumë qëndrimeve, të cilat gëjnë vetëm që çdo lexues apo shikues të përforcojë paragjykimet apo keqgjykimet e veta mbi dukurinë dhe viktimën. Rezultati i kësaj qasje të mediave është relativizimi dhe normalizimi i dhunës seksuale dhe të çdo lloji ndaj grave.
Nga ana tjetër, dueht ti japim meritën opozitës, e cila ë bëri ngjarjen publike dhe dnikoi në marrjen e masave të menjëhershme nga policia dhe prokuroria për ndëshkimin e fajtorëve. Por a mjafton vetëm denoncimi i mosveprimit qeveritar dhe demonizimi i qeverisë?
A nuk do të ishte opozita një shembull shumë më pozitiv dhe reflektues nëse ajo do të mund të ofronte një qasje më të gjerë për ngjarjen e rëndë në Kavajë, duke qenë se mosreagimi i institucioneve qeveritare është vetëm njëra anë e asaj që ka ndidhur?
Fakti që vetë shkolla e referoi problemin te familja, dhe kjo e fundit nuk e denoncoi menjëherë, tregon për një krizë institucionale, aq sa edhe krizë vlerash në familje dhe në komunitet, ku shpëtimi gjendet te qasja tribale e heshtjes dhe mospërzierjes dhe ku një vepër penale trajtohet si problem familjar.
A nuk është përgjigja më e mirë për përdorimin politik të rastit, ofrimi i mendimeve dhe propozimeve për atë që mund të bëhet dhe duhet bërë për të shmangur shëprfilljen dhe mozvelrësimin e seriozitetit të ngjarjeve të tilla nga shoqëria jonë? Veçanërisht në kushtet kur vetëdijësimi dhe ndjeshmëria e gjithë shqoërisë janë mbrojtja më e mirë për ndaj dhunës dhe përdhunës nfaj grave e vajzave.
A nuk i jep, armë të panevojshme qeverisë përgjegjëse, përqendrimi i çdo veprimi të opozitës vetëm në etiketimet fajtore dhe kriminale të qeverisë?
Reagimi, ndoshta i vetëm, i drejtë dhe njerëzor në këtë ngjarje ishte ai i një grup qytetarësh dhe veprimtarësh që dolën në një amrshim proteste kudnër trajtimit që ju bë përdhunimit të së miturës nga shokët e saj të shkollës.
Marshimi filloi nga Ministria e Arsimit për t’u drejtuar më pas te Drejtoria e Policisë. Në të dy vendet protestuesit qëndruan më së shumti në heshtje, si denoncim e përpjekjes së admisnistratës arsimore dhe policisë për ta fshehur ngjarjen nga publiku, por edhe si kundërpërgjigje ndaj raportimit joprofesional dhe etik të mediave dhe eksponentëve të ndryshëm të qeverisë.
Ky qëndrim ishte shpallur që më parë në thirrjen për pjesëmarrje në rrjetet sociale me fjalët: “Marshojmë heshtur, kundër dhunës seksuale, kundër normalizimit të dhunës duke e konsideruar ngjarjen lojë fëmijësh, dhe kundër fajësimit të viktimës”.
Ngjarja e Kavajës ka shumë fajtorë, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, përveç të miturve shantazhues e përdhunues dhe ka shumë për të reflektuar mbi shkaqet dhe arsyet që e bënë të mundur dhe mënyrat se mundemi t’i parandalojmë e luftojmë ndodhi të tilla në të ardhmen.
Dënimi pa kushte i dhuneusve dhe përkujdesi ndaj viktimës janë vetëm fillimi, por kërkohet ndërgjegjësim mbi rolin e shoqërisë, e cila përmes veprimeve dhe mosveprimeve të vogla ka krijuar mendësinë dhe kushtet që përligjin veprime të tilla.