Fatbardh Kadilli prezantoi të martën një lëvizje të re lidershipi brenda Partisë Demokratike, të cilën e pagëzoi me emrin “Iniciativa Demokratike”.
Kadilli nuk dha shumë detaje se si të do të funksionojë nisma konkretisht, por e bëri të qartë se ajo do të kërkonte të ndërtonte një altërnativë lidërshipi brenda PD-së.
“Opozita nuk është ekskluzivitet i askujt. Partia edhe mund të bëhet monopol. Opozitarizmi jo!,” deklaroi Kadilli.
Ai kritikoi përplasjet mes Bashës dh Berishës, duke thënë se ata nuk ofronin as zgjidhje, as bashkim, as opozitë dhe vetëm sa harxhonin më shumë energjitë e demokratëve, të cilët sapo kanë humbur zgjedhjet e treta.
Si rrjedhim, kadilli shpalli se qëllimi i nismës ishte reformimi i opozitës.
“Ne kemi marrë përgjegjësitë tona. Do të bëjmë opozitë. Një opozitë të re. Përballë pushtetit abuziv të Ramës, ne do të vijmë si një opozitë e pastër, opozitë konkuruese, opozitë që ngjall shpresë. Kjo opozitë e re do ketë propozime të besueshme, nga njerëz të besueshëm, në dobi të vendit,” tha ai.
“Në sjellim ide, për një mendim të ri politik, për një aksion të ri politik,” u shpreh Kadilli, i cili saktësoi se struktura do të ishte e pavarur nga lidershipi i PD-së, ngase do të vepronte brenda filozofisë së partisë.
“Ne kemi vendosmërinë, guximin, pastërtinë të përballemi me të keqen, brenda dhe jashtë nesh,” shtoi ai.
Pjesë e lëvizjes duket se janë edhe Ivi Kaso, Artan Hoxha, Enno Bozdo dhe disa figura të tjera demokrate.
Lajmi vjen në një kohë që PD-ja përballet me përplasje mes kryetarit Lulzim Basha dhe ish-kryetarit Sali Berisha, pas vendimit të përjashtimit të këtij të fundit nga grupi parlamentar, me kërkesë të ambasadës amerikane.
Në vijim, Berisha ka denoncuar Bashën si të marrë peng nga kryeministri Rama dhe ka shpallur nismën “Foltorja”, që synon të thërrasë një Kuvend të jashtëzakonshëm e më pas, zhvillimin e një referendumi mbi vendimin e Bashës.