Imagjinoni këtë skenë: një grup i vogël njerëzish të mbledhur në oborrin e një kishe guri, e ngritur mbi majën e një shkëmbi. Poshtë, në afërsi, në rrugën kombëtare, disa furgona policie që kontrollojnë qarkullimin… Ndonëse shumëçka ngjante me skenën e një filmi aksion, ngjarja po ndodhte në rrugën kombëtare Tiranë-Kukës. Postblloku i policisë ishte ngritur pranë Rubikut, ndërsa grupi i vogël i njerëzve ishte shmangur, duke u strehuar në Kishën e T’Shëlbuemit, aty pranë.
Në fakt, përplasja kishte ndodhur disa dhjetëra kilometra më tej, pak përpara Tunelit të Thirrës, ku banorët, së bashku me disa aktivistë, u ndeshën me policinë në përpjekje për të reaguar kundër ndërtimit të një hidrocentrali, i cili kishte bllokuar rrjedhën e një përroi. Disa dhjetëra u ndaluan gjatë kthimit, shumë kilometra larg vendngjarjes, pasojë e një operacioni të fshehtë, të organizuar nga forca policore dhe disa civilë të paidentifikuar.
Iliaz Shehu, kandidati për deputet i Vetëvendosjes në Qarkun e Lezhës, ia doli t’u shmangej kontrolleve, duke u strehuar në Kishën e T’Shëlbuemit. Pikërisht aty, në oborrin e asaj kishe të vjetër, të ngritur mbi majën e një shkëmbi, mes një grupi të vogël aktivistësh, unë intervistova Iliazin, ndërkohë që poshtë në Luginë, policia vijonte të survejonte qarkullimin.
Është risi, se “Lëvizja Vetëvendosje” në Shqipëri, e përfaqësuar në zgjedhjet e 25 prillit, nga vetëm tre kandidatë, po u jep çështjeve sociale, veçanërisht, atyre mjedisore, një mbështetje serioze. Iliaz Shehu, së bashku me mbështetësit e tij, iu bashkua protestës së banorëve të Thirrës, të cilët kërkojnë ndërtimin e mëtejshëm të hidrocentralit në Përroin e Thirrës në Mirditë. Kandidati tjetër në Tiranë, njëkohësisht dhe drejtuesi i kësaj lëvizje në Shqipëri, Boiken Abazi, e ka zhvendosur, jo rrallë, fushatën e tij elektorale, nga lagjet e rënduara të metropolit urban, drejt hotspoteve të ndotura, apo të degraduara mjedisore. Në jug, në Qarkun e Gjirokastrës, kandidati i tretë, arkitekti Kreshnik Merxhani, po zhvillon një fushatë atipike, në përpjekje për të nxitur ndjeshmërinë qytetare për trashëgiminë natyrore dhe kulturore, duke lënë mënjanë tipologjinë e një fushate konvencionale.
“Ne i përgjigjemi, politikisht, nevojave të komunitetit, – thotë Iliazi. Ndërtimi i kaq shumë hidrocentraleve po shkakton largimin e njerëzve. Kemi të bëjmë me një emergjencë kombëtare”, – konstaton ai.
“Lëvizja Vetëvendosje”, e cila garon për herë të parë në zgjedhjet elektorale në Shqipëri, e ka nisur me këmbë të mbarë, duke adresuar krizën mjedisore dhe degradimin e burimeve natyrore në vëmendje të elektoratit, ndërkohë që për partitë e mëdha, shqetësimi mjedisor në këtë fushatë është zëvendësuar nga propaganda e përfitimeve, në kurriz të mjedisit.
Është e kotë të kërkosh nëpër dokumentet e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike ndonjë copë për mjedisin. Nga ana e tij, kryeministri ka pohuar, më shumë se një herë, se Partia Socialiste nuk ka program në këtë fushatë. Sipas tij, vizioni për zhvillimin mbetet programi i saj i vetëm. Gjatë udhëtimeve elektorale të 25 prillit, ai nuk ka pushuar së trumpetuari këtë devizë.
“Shqipëria, kampione e Ballkanit në Turizëm”; “Kampione e Ballkanit në Agroturizëm”; “Kampione e Ballkanit në Eksportet Bujqësore”; “Eksportuese neto për energjinë në rajon”, janë sloganet kryesore të Edi Ramës në këtë fushate. Duke zbritur, nga zyra e tij vendimmarrëse (shpesh, një vendimmarrje në kurriz të mjedisit) në skenën elektorale, i zhvendosur përpara mbështetësve të përzgjedhur, përpara një sfondi festiv, herë real e herë virtual, Kryeministri po tregon anën e shndritshme të këtij zhvillimi.
Por, ndonëse ende brenda një dekori elektoral, në terren këto premtime përbëjnë sidoqoftë, një presion të shtuar ndaj burimeve natyrore të vendit, përmasat e të cilit nuk po merren në konsideratë. Takimet me peshkatarë, operatorë turistikë apo me përfaqësues të shumtë të biznesit kanë lënë mënjanë përfaqësuesit e shoqërisë civile, interesat e të cilëve përputhen me mbrojtjen e ekosistemeve dhe ruajtjen e burimeve natyrore nga shfrytëzimi i paqëndrueshëm.
Vendimi i fundit i qeverisë për ndërtimin e një aeroporti, krahas ngritjes së një ofiçine për riparimin e avionëve, brenda në Lagunën e Nartës, e bën të ardhmen e këtij habitati natyror, me mbrojtje kombëtare dhe ndërkombëtare, të pasigurtë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shtoi një tjetër faturë krizës mjedisore. Ai premtoi një amnisti 1-vjeçare ndaj gjobave të bizneseve të vogla dhe të mesme, në kushtet kur efikasiteti i monitorimeve dhe i inspektoriateve të kontrollit ndaj këtyre bizneseve, kryesisht në drejtim të ndikimit të tyre në mjedis, ka dështuar. I ashtuquajturi “moratorium gjobash”, i propozuar nga Partia Demokratike në këtë fushatë, s’është veçse një faturë me shumë në dëm të mjedisit.
Ndonëse dy fushata, krejtësisht të ndryshme, qëndrimi ndaj mjedisit, i këtyre partive të mëdha, është i njëjtë. Trajtimi, në shpërfillje të grupeve të interesit që mbrojnë natyrën, kundrejt favorizimeve të bizneseve që e shfrytëzojnë dhe përfitojnë prej saj, po kryhet në mënyrë joproporcionale. Gara mes dy partive, në emër të zhvillimit, mbetet kërcënimi më i madh për ekosistemet dhe burime natyrore të vendit.
Nëntorin e shkuar Shqipëria nënshkroi “Deklaratën e Sofies”, një premtim i lidërve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbërt të Bashkimit Europian, që synon realizimin e një plan-veprimi të përbashkët për të siguruar, krahas rritjes ekonomike, kujdesin për zbutjen e krizës klimatike, si dhe rritjen e shëndetit të ekosistemeve të egra natyrore. Komisioni Europian propozoi një mbështetje financiare prej 9 miliardë eurosh brenda një periudhe 8-vjeçare.
Por ndërkohë që Bashkimi Europian po shpenzon miliarda për mbrojtjen e burimeve natyrore lidershipi shqiptar po projekton miliarda përfitime në kurriz të tyre, duke përndjekur, madje, aktivistët dhe banorët të cilët ngrihen në mbrojtje të burimeve natyrore ku ata jetojnë.