Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, akuzoi të dielën kryeministrin Rama se ka ndjekur një politikë anti-shqiptare në raport me Greqinë.
Idrizi tha se “Rama kërkon ta heqë Çamërinë edhe nga librat e historisë sepse kështu ia kërkon pala greke”.
Ai shtoi se kryeministri “kërkon që ta barazojë Çamërinë me termin Vorio-Epir” gjë që sipas tij synon “të këpusë njërin krah të identitetit kombëtar shqiptar”.
Këto deklarata kreu i PDIU-së i bëri gjatë një takimi me anëtarët e Shoqatës Patriotike “Çamëria” dhe PDIU-së në Fier.
“Si është e mundur që Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale pas 87 vjetësh, ndërsa kryeministri jo vetëm nuk e kundërshton, por bën avokatinë e Greqisë” tha më tej Idrizi duke dënuar heshtjen e Ramës mbi Çështjen Çame dhe ligjin e luftës.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, do të kandidojë në një listë të përbashkët me Partinë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.