Presidenti ka të drejtë të mos dekretojë emërimin e një ministri vetëm nëse ka arsye të fortë, ndryshe ai do të përfshihej në jetën politike, duke shkelur Kushtetutën. Presidenti ka të drejtë të vlerësojë përmbushjen e kritereve kushtetuese të kandidatit të propozuar për ministër, në veçanti në rastin e Ministrit të Jashtëm.
Ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese në çështjen e mosdekretimit të ish-ministrit të jashtëm Gent Cakaj nga Presidenti Meta, i zbardhur të premten.
Kushtetuta i njeh Presidentit rolin e përfaqësuesit më të lartë të shtetit në marrëdhëniet me jashtë, si dhe kompetenca specifike në fushën e politikës së jashtme, ndaj sqaron Gjykata se:
Presidenti ka bazë kushtetuese të mjaftueshme, “për vlerësimin e propozimit të Kryeministrit në procesin e emërimit të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.
Vendimi i Gjykatës sqaron kompetencat e tre institucioneve, Kuvend, Kryeministër dhe President në emërimin dhe shkarkimin e një ministri, si më poshtë:
Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantojë përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër bëhet nga të tria organet e përfshira në proces, Kuvend, Kryeministër dhe President, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.
Emërimi dhe shkarkimi i ministrit është një proces i përbashkët — i Kryeministrit, në si pushtet ekzekutiv, Presidentit, si organ kushtetues i pavarur dhe Kuvendi, si organ I pushtetit legjislativ — sipas rolit përkatës që Kushtetuta i ngarkon secilit prej tyre.
Propozimi, emërimi dhe shkarkimi me dekret, si dhe shqyrtimi i dekreti, të kryera me radhë nga Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, përfaqësojnë ndarjen dhe ekuilibrin institucional, që kërkohet nga neni 98 i Kushtetutës.
Presidentit në këtë proces ka për qëllim balancimin e tij, pasi Kryeministri dhe Kuvendi janë organe me natyrë të mirëfilltë politike.
Kryeministri ka kompetencën të propozojë kandidatin për t’u emëruar ministër ose ministrin për t’u shkarkuar. Pra, ai ka rolin iniciues në procesin e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit.
Presidenti nuk është i detyruar të emërojë personin që propozohet nga Kryeministri, megjithëse refuzimi është një fenomen i rrallë.
Kur nuk ka shkaqe që ndalojnë dikë të bëhet ministër, Presidenti do ta bëjë emërimin që i kërkohet nga Kryeministri, ndryshe Presidenti do të përfshihej në jetën politike.
Kryeministri nuk mund ta bëjë shkarkimin e ministrit pa miratimin e Kuvendit. Kuvendi nuk cakton ministrin, por ka rol kontrollues dhe korrigjues dhe përgjegjësi politike.
Çfarë ndodh kur këto institucione nuk zbatojnë rolet kushtetuese?
Nëse Kryeministri dhe Presidenti ushtrojnë kompetencat respektive në procesin e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit, pa bashkëpunim luajal kushtetues, duke krijuar situata pa rezultat ose pa veprim, e vendosin Kuvendin në pamundësi të ushtrojë kompetencën e tij në këtë proces.
Duke mos shqyrtuar dekretet e Presidentit, pra duke mos ushtruar Kuvendi të drejtën dhe detyrën e tij, krijohet një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit dhe qeverisjen e vendit.