Qeveria Rama i ka dhënë me qira rreth 540 mijë metër katrorë tokë 7 kompanive në vitin 2019, si pjesë e programit “Shqipëria 1 euro”.
“Shqipëria 1 Euro” është një nismë e qeverisë Berisha, që kishte si synim tërheqjen e investitorëve të huaj duke i dhënë aty pasuri publike shtetërore me pagesë simbolike vetëm një euro.
Këto lloj kontratash më sipërmarrësit aplikohen për prona shtetërore me sipërfaqe mbi pesëqind metra katrorë.
Open Data Albania ka bërë publike kompanitë që përfituan të tilla kontrata në vitin 2019:
– Kompania Blu Imperial shpk, në pronësi të Hairedin Kastratit ka përfituar 353,686 metra katrorë në Tiranë, ku një pjesë është tokë dhe një pjesë objekte, më saktësisht ish grup-depot e Repartit Ushtarak nr 2045 dhe pesë tunele me sipërfaqe 3 424.6 metër katrorë. Kompania do të ketë më qira këtë sipërfaqe për 20 vite. Qëllimi i biznesit është ndërtimi i një Kapanoni brenda të cilës do të montohen dy linja të reja për mbushjen e ujit mineral të gazuar dhe të pa gazuar në shishe.
– Kompania Alliance Resource shpk, në pronësi të Mbarime Korocit dhe Wen Ming, ka përfituar sipërfaqen e përgjithshme prej 57 390 metra katrorë në Elbasan, ku bëjnë pjesë Depoja e Koncentratit të Hekurit dhe Vaskat e Betonit. Në këtë sipërfaqe, kompania do të ndërtojë një Fabrikë Prodhimi të Oksideve të Zinkut dhe hekur nikelit.
– Kompania Rozafa shpk, në pronësi të Gjergj Lucës, ka përfituar 2 kontrata: njëra për një sipërfaqe 49, 247 metra katrorë në Librazhd, ndërsa tjetra 28,960 metra katrorë në Gramsh. Rozafa shpk duhet të përdorë këtë objekt për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e karkalecit nëpërmjet përpunimit aktiv të mallrave.
– Kompania nga Koreja e Jugut Yura Corporation e zotëruar nga Yura Co.Ltd ka përfituar 49,347 metër katrorë në fshatin Zhupan në Fier. Më parë kjo kompani ka aplikuar në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Komitetin e Investimeve Strategjike të saj, për të marrë statutin e investitorit strategjik me të drejtën për të zhvilluar projektin e investimit të huaj për Projektim, Ndërtim, Pronësi, Mirëmbajtjen dhe Operimin të një strukture industriale fabrikë dhe objekte të tjera për prodhimin e sisteme dhe pjesëve elektrike për automobil, me një vlerë investimi prej rreth 6,5 milionë eurosh.
– Fondacioni Fundjavë Ndryshe, themeluar dhe drejtuar nga Arbër Hajdari, ka përfituar 43,169 metër katrorë në Brar të Tiranës. Qëllimi i kontratës është dhënia në gëzim të përkohshëm të objektit për ngritje të një kompleksi administrativ, arsimor dhe shërbime falas për ndihmën dhe rehabilitimin e njerëzve në nevojë.
– Kompania MTCS shpk, në pronësi të gazetarit Carlo Bollino, ka përfituar një sipërfaqe prej 4021 metër katrorë në Tiranë, për 20 vjet ku do të ndërtohet një televizion me parametra teknik bashkëkohor.
– Kompania UNIERO shpk, në pronësi të Suela Gjyzelit, ka përfituar një sipërfaqe prej 930 metrash katrorë për 8 vjet. Qëllimi i kontratës është prodhimi i çantave prej letre dhe tekstili si dhe mallrave fason.