Media italiane Notizie.it njofton se policia italiane në bashkëpunim me atë hollandeze kanë kapur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike, i cili furnizohej me drogë nga Shqipëria. Policia sekuestroi rreth 1 ton drogë dhe arrestoi 14 persona për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas policisë, Shqipëria ishte furnizuesi fillestar i drogës, më pas rrjetet kriminale e transportonin atë në Hollandë dhe më pas në Itali, vend nga ku bëhej gati për shpërndarje. Fitimet e këtij rrjeti nga droga, riinvestoheshin në rrjetin e prostitucionit.
Media italiane raporton se në Shqipëri janë të vendosur linjat kryesore të trafikimit armëve, prostitucionit, makina të vjedhura, trafikimit të qënieve njerëzore dhe trafikim organesh. Fitimet nga krimi zhduken, humbasin gjurmët dhe nuk dihet se çfarë financojnë apo se për çfarë përdoren.
Gjithashtu, trafiku i paligjshëm në Shqipëri bëhet nga dy itenerare — njëri është Shqipëri, Hollandë dhe Itali ndërsa tjetri — Shqipëri, Itali dhe më pas në qytete e tjera të Evropës.
Sipas hetuesve italianë nuk dihen shumë gjëra për familjet mafioze dhe klanet mafioze të mafias shqiptare dhe për lidhjet që kanë këto me Italinë. Por ato shprehen se këto familje shqiptare kanë lidhje gjaku përmes martesave me Sacra Corona Unita (familja më e fuqishme mafioze në Puglia).