Diktatura e Enver Hoxhës e ktheu Shqipërinë në një burg të madh: qindra burgje dhe kampe përqendrimi u ngritën në çdo anë të vendit.
Fondacioni Kujto.al e ka risjellë panoramën e persekutimit politik në Shqipëri permes një hartë dixhitale dhe dokumentari që përshkruan gjithë infrastrukturën e vuajtes së dënimeve politike.
Harta mbledh të gjitha kampet dhe burgjet që diktatura komunsite ngriti dhe operoi nga viti 1944 deri në vitin 1991.
Më poshtë Exit News sjell historikun, vennddodhjet dhe analizën e punës së bërë nga Kujto.al, me mbështetje të Fondacionit gjerman Konrad Adenauer.
Regjimi komunist konsideronte “armik” këdo që mendonte, shprehej apo vepronte kundër sistemit. Ata, familjarët dhe të afërmit e tyre u vranë dhe u përndoqën me dëbime, internime dhe burgosje në kampe internimi, kampe të përkohshme, kampe pune dhe burgje.
Menjëherë pas ardhjes në pushtet, në vitet 1945-1953, komunistët konsoliduan pushtetin duke vrarë dhe persektuar të gjithë kundërshtarët e tyre politike dhe ata që mendonin si rrezik të regjimit, veçanërisht elitën intelektuale dhe sipërmarrëse të vendit.
Në këtë periudhë regjimi ngriti 6 kampe përqëndrimi të rrethuar me tela për të internuar “familjet armike” të kundërshtarëve politikë, kryesisht gratë, pleqtë dhe fëmijët e atyre që ishin arratisur, dënuar ose ekzekutuar. Të internuarit dërgoheshin sa më larg banimit të tyre: jugorët në veri dhe veriorët në jug.
Për rreth 8 vite u mbajtën hapur kampe të rrethuar me tela në Krujë (1945-1947), Berat (1945-1949), Porto Palermo (1949-1950), Tepelenë (1949-1953), Kamëz (1948-1953) dhe Valias (1948-1953).
Të internuarit mbaheshin në kushte çnjerëzore në kampe pa higjienë përballë sëmundjeve të ndryshme që asokohe u përhapën në nivele thuajse epidemike; ata detyroheshin të punonin dhe ushqeheshin me racione të varfëra ushqimore.
Rreth 300 fëmijë vdiqën vetëm në kampin e Tepelenës nga uria dhe kushtet johumane të jetesës.
Deri në vitin 1949, në këto 6 kampe ishin internuar mbi 2,600 njerëz. Pas vitit 1953, edhe pse ato u mbyllën me ligj, dhjetëra të internuar vazhduan të mbaheshin atje.
Mbyllja e këtyre kampeve nuk e ndali internimin si politikë ndëshkuese për armiqtë e sistemit. Pas vitit 1954, regjimi i internoi të dënuarit politikë në qindra kampe të hapura kryesisht në fshatra dhe zona të thella malore.
Të internuarit paraqiteshin 3 herë për apel dhe u ndalohej largimi nga vendi i internimit. Përveç kësaj ata privoheshin nga shumica e të drejtave, diskriminoheshin nga shoqëria sipas parimit të “luftës së klasave”.
Instituti për Integrimin e të Përndjekurve (IIP) pohon se, deri në vitin 1991, regjimi internoi dhe dëboi mbi 21 mijë persona. Ndërkohë Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) thotë se ky numër mund të ketë shkuar deri në rreth 60 mijë.
Nga viti 1946 deri në vitin 1990 komunistët ia ngarkuan punët më të vështira të burgosurve politikë duke i mbajtur në kampe pune për tharjen e kënetave, hapjen e kanaleve, ndërtimin e hekurudhave apo rrugëve.
Kampi i parë i punës së detyruar u hap në Jubë të Durrësit në tetor të vitit 1946, dhe u pasua me kampin e stadiumit Qemal Stafa në Tiranë (1946), kënetës së Maliqit në Korçë (1946-1951), kanalit të Bedenit (1948-1950) e Lekajt në Kavajë (1948), Vlashukut në Berat (1948-1949) dhe 11 kampeve të tjera në Tiranë, Peqin, Elbasan, Vlorë e Shkodër.
Në këto kampe pune u detyruan të punonin ish-zyrtarë, intelektualë, klerikë dhe madje robërit gjermanë e italianë.
Regjimi burgosi aq shumë njerëz sa nuk i mjaftuan burgjet ekzistuese të pas-Luftës së Dytë Botërore.
Të burgosurit i ndante në politikë dhe ordinerë. Për izolimin e tyre diktatura fillimisht shfrytëzoi shtëpi dhe kisha. Më pas kur komunistët kuptuan përfitimet që mund të merrnin nga shfrytëzimi i tyre për krah pune të detyruar i kthyen të gjitha burgjet në reparte riedukimi.
Në fillim të viteve 1950-të, burgjet dhe kampet u strukturuan në rreth 35 reparte ku të burgosurit politikë do të “riedukoheshin me punë të detyruar”.
Shumica e reparteve ishin të lëvizshme ndërsa të tjera u vendosën në miniera duke u shpërngulur përfundimisht si kampe-burgje – ndër shembujt e tmerrshëm burgu i Spaçit (1968-1990) dhe ai i Qafë-Barit (1982-1990).
Përveç kampeve dhe reparteve të riedukimit, të dënuarit politikë shpërndaheshin edhe në rreth 14 burgje afatgjata, që u ngritën në Tiranë, Shkodër, Peshkopi, Burrel, Durrës, Berat, Vlorë, Elbasan, Kavajë, Kukës e Gjirokastër.
Për rreth 45 vite, IIP thotë se diktatura dënoi politikisht mbi 20 mijë persona – rreth 14,500 me burg dhe 5,500 me pushkatim. Por ISKK thotë se ata që u burgosën politikisht ishin të paktën 19 mijë më shumë – 34 mijë të burgosur politikë.
Tre dekada pas rrëzimit të diktaturës është e vështirë të thuhet saktë se sa ishte numri i atyre që u përndoqën, pasi arkivat nuk u mbajtën sistematikisht që nga vitit 1944 ndërkohë që shumë raste as që u deklaruan. Por falë punës së Kujto.al mund të kuptohet më qartë se çfarë shtrirje kishte “infrastruktura përndjekëse e regjimit”.