Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek, Kyriakos Mitsotakis kanë rënë dakord të hënën për të përshpejtuar procesin e dërgimit të dosjeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ku do të shqyrtohet çështja e delimitimit të zonave detare mes dy vendeve.
Mitsotakis dhe Rama biseduan përpara fillimit të Samitit të NATO-s në Bruksel.
Media greke raporton se dy kryeministrat diskutuan mbi këtë çështje, për marrëdhëniet greko-shqiptare dhe kursin evropian të Ballkanit Perëndimor, për të cilin kryeministri Mitsotakis përsëriti mbështetjen e palëkundur të Greqisë.
Në tetor të 2020, kryeministri Edi Rama njoftoi se mosdakortësia mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e detit do të shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në bazë të së drejtës ndërkombëtare të detit.
Ministrja Olta Xhaçka ka pohuar më herët se pala shqiptare po punon për hartimin e dosjes por deri tani ende nuk është miratuar asnjë dokument lidhur me këtë çështje. Ajo ka paralajmëruar se kjo çështje mund të mos zgjidhjet brenda mandatit të tretë të Partisë Socialiste.