Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët në Ligën e Kombeve

Nga Exit News
Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët në Ligën e Kombeve

Shqipëria dhe Kosova u njohën të martën me përfaqësueset kundërshtare me të cilat do të përballen në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

Shorti i hedhur në Amsterdam caktoi Shqipërinë në Grupin 4 të Ligës C me: Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin. Ndërsa Kosova u cakuta Grupin 3 të Ligës C me: Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë.

Trajneri i përfaqësueses kuqezi, Edy Reja u shpreh me besim për gazetën Panorama se Shqipëria mund ta mbyllë e para në grupin që ka. Reja vlerësoi si grup më të vështirë grupin e Kosovës.

Trajneri zviceran i Kosovës, Bernard Challandes, ishte në një mendje me Rejan. Ai tha për mediat kosovare se shorti nuk ishte i mirë, por pohoi se kjo është një mundësi e mirë për të treguar nivelin që ka arritur skuadra.

Edicionin e shkuar, Kosova fitoi grupin e saj në Ligën D duke dalë e para në një grup me Maltën, Azerbajxhanin dhe Ishujt Faroe. Ndërsa Shqipëria, që ishte në Grupin C1, e mbylli e fundit me vetëm 3 pikë me Skocinë dhe Izraelin.

Ndeshja e parë e Shqipërisë luhet në transfertë më 4 shtator kundër Bjellorusisë, ndërsa Kosova luan dy ditë më pas dhe pret Greqinë.

Liga e Kombeve është turne që zhvillohet çdo dy vite. Ajo ndahet në 4 Liga (Liga A; Liga B; Liga C dhe Liga D) me nga 4 grupe (përveç Ligës D që ka 2 grupe).

Skuadrat kryesuese të 4 grupeve në Ligën A kalojnë në fazën finale ku diskutohet titulli i Ligës së Kombeve. Fituesit e grupeve në ligat e tjera kualifikohen automatikisht për në Kupën e Evropës dhe kalojnë një ligë më lart në Ligën e Kombeve.

Ky turne u mendua si zgjidhje për të hequr ndeshjet miqësore nga kalendari i skuadrave përfaqësuese. Edicioni i parë, që nisi në shtator 2018, u fitua nga Portugalia.

Më poshtë Exit News sjell të gjitha grupet:

Liga A
Grupi A1: Holanda, Italia, Bosnje e Hercegovinë, Polonia
Grupi A2: Anglia, Belgjika, Danimarka, Islanda
Grupi A3: Portugali, Francë, Suedi, Kroaci
Grupi A4: Zvicër, Spanja, Ukraina, Gjermania

Liga B
Grupi B1: Austria, Norvegjia, Irlanda e Veriut, Rumania
Grupi B2: Republika Çeke, Skocia, Sllovakia, Izraeli
Grupi B3: Rusia, Serbia, Turqia, Hungaria
Grupi B4: Uellsi, Finlanda, Irlanda, Bullgaria

Liga C
Grupi C1: Azerbajxhani, Luksemburgu, Qipro, Mali i Zi
Grupi C2: Armenia, Estonia, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia
Grupi C3: Moldavia, Sllovenia, Kosova, Greqia
Grupi C4: Kazakistani, Lituania, Bjellorusia, Shqipëria

Liga D
Grupi D1: Malta, Andorra, Letonia, Ishujt Faroe
Grupi D2: San Marino, Lihtenshtajni, Gjibraltari

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>