Shqipëria dhe Kosova përballë vendeve të rajonit – situata me koronavirusin

Nga Exit News
Shqipëria dhe Kosova përballë vendeve të rajonit – situata me koronavirusin

Epidemia e koronavirusit vazhdon të vërë në vështirësi shtetet e Ballkanit Perëndimor, sidoqoftë Shqipëria mbetet ajo që raporton shifrat më të diskutueshme.

Vendi ynë është shteti që ka vdekshmërinë (4.9%) dhe shërueshmërinë (49.6%) më të lartë në rajon.

Ndërkohë Kosova duket se po mbetet pas me numrin e testimeve. Mali i Zi, që konstatoi rastin e parë 4 ditë më vonë, ka analizuar afërsisht po aq persona sa Kosova.

Tabela e mëposhtme e përpunuar nga Exit News sjell një panoramë më të qartë të situatës, e shoqëruar gjithashtu me përditësimet e së hënës.

Bilanci i Covid në Ballkanin Perëndimor
Bilanci i Covid-19 në Ballkanin Perëndimor, 13 prill 2020.

Në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor janë testuar rreth 70 mijë persona, prej të cilëve 8 690 kanë rezultuar të infektuar – 221 kanë vdekur, 1 370 janë shëruar.

Serbia

Të hënën raportoi 5 viktima dhe 424 të infektuar të tjerë me koronavirus duke e çuar totalin në 4 054 të infektuar dhe 85 të vdekur – 424 janë shëruar, 138 pacientë janë nën respiratorë.

Që kur u raportua rasti i parë më 6 mars, Serbia ka testuar 20 958 persona.

Kroacia

Të hënën raportoi 50 të infektuar të tjerë me Covid-19 duke e çuar totalin në 1 650 persona të prekur nga koronavirusi – 400 të shëruar, 25 të vdekur.

Prej 25 shkurtit, kur u diagnostikua rasti i parë, autoritetet kanë testuar 17 790 persona. Zagrebi me 413 të infektuar është qyteti më i prekur.

Bosnje e Hercegovina

Të hënën diagnostikoi 27 të infektuar të tjerë, duke e çuar totalin në 1 030 persona të prekur – 206 janë shëruar, 39 kanë vdekur.

Që kur u diagnostikua rasti i parë me Covid-19 më 5 mars, autoritetet kanë testuar 11,612 persona. Banja Luka (258) në Republikën Srpska është qyteti me më shumë të infektuar.

Maqedonia e Veriut

Të hënën raportoi 4 viktima dhe 26 të infektuar të tjerë me Covid-19 duke e çuar totalin në 38 të vdekur dhe 854 të infektuar – 44 janë shëruar.

Viktimat e fundit ishin të moshave 58, 63, 67 dhe 79 vjeç nga Shkupi, Velesi dhe Prilepi.

Prej 26 shkurtit kur u diagnostikua rasti i parë me Covid-19 autoritetet kanë testuar 8 552 persona.

Shkupi (316) dhe Kumanova (211) janë zonat më të prekura, ndërsa në Dibër po mendohet testimi i 30 për qind të popullatës.

Shqipëria

Të hënën raportoi 23 të infektuar të tjerë me Covid-19 duke e çuar totalin në 467 të infektuar – 232 janë shëruar, 23 kanë vdekur.

Autoritetet përgënjeshtruan një tjetër lajm vdekjeje pacienti me Covid-19 në Shkodër, duke theksuar se ai ishte pa simptoma.

Që prej 9 marsit kur u raportua rasti i parë me Covid-19 në Shqipëri, autoritetet kanë testuar 4070 persona.

Tirana (221) dhe Shkodra (70) janë qytetet më të prekura nga koronavirusi.

Kosova

Të hënën raportoi viktimën e tetë me Covid-19, një grua 39-vjeçare. Të shtunën autoritetet vendosën nën karantinë Prishtinën.

Prej 13 marsit, kur u raportua rasti i parë me koronavirus autoritetet kanë testuar 3 256 persona, prej të cilëve 362 kanë rezultuar të infektuar, 59 janë shëruar.

Malisheva (68), Ferizaj (55) dhe Prishtina (47) janë komunat me më shumë të prekur.

Mali i Zi

Të dielën regjistroi viktimën e tretë me Covid-19, një 74-vjeçar, ndërsa të hënën raportoi 5 të diagnostikuar të tjerë të cilët e çuan totalin në 273 të infektuar.

Podgorica me 146 të infektuar, është qyteti më i prekur nga koronavirusi.

Prej 17 marsit, kur u diagnostikua rasti i parë, autoritetet kanë testuar 3 174 persona.

Qeveria malazeze ka nisur një fushatë solidariteti për mbledhje fondesh ku aktualisht janë mbledhur rreth 7 milionë euro.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>