Shqipëria, e dyta në Europë për numrin e lartë të vdekjeve nga ndotja e mjedisit

Nga Alice Elizabeth Taylor
Shqipëria, e dyta në Europë për numrin e lartë të vdekjeve nga ndotja e mjedisit

Qytetarët që jetojnë në Shqipëri kanë më shumë shanse të vdesin nga sëmundje që shkaktohen nga ndotja e ajrit sesa ata në Evropën Perëndimore.

Sipas një raporti të ri të botuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, Shqipëria renditet e dyta në listën e vendeve europiane ku jeta e qytetarëve rrezikohet nga ndotja. Në vend të parë, si vendi më problematik, renditet Bosnje-Hercegovina.

Në Shqipëri, 23 për qind e vdekjeve vjetore kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit dhe çështjet e mjedisit. Krahasuar me mesataren europiane e cila është 13 për qind, Shqipëria ka një diferencë prej 10 pikë përqindjeje.

Evropianët me rrezikun më të ulët të vdekjes nga çështjet e lidhura me ndotjen janë ata që jetojnë në Norvegji dhe Islandë ku shkalla e vdekjeve është vetëm 9 përqind. Më pas vjen Danimarka dhe Suedia, me nga 10 për qind.

Raporti vë në dukje diferencën mes vendeve të Evropës Lindore krahasuar me atë Perëndimore.

“Një faktor që nxit këtë model është varfëria energjetike, e cila është më e përhapur në Evropën Jugore dhe Qendrore-Lindore”, shkruhet në raport, duke shpjeguar se “komunitetet e varfëra mbështeten në djegien e lëndëve djegëse të ngurta me cilësi të ulët si qymyri dhe druri. ”

Faktorë të tjerë që ndikojnë në pabarazinë e madhe midis dy rajoneve përfshijnë nivele më të ulëta të higjienës dhe ekspozim më të lartë ndaj substancave të mbetjeve që janë të dëmshme për shëndetin dhe jetëgjatësinë e qytetarëve.

LEXO  Ambasada Amerikane publikon video keqinformuese mbi reformën në drejtësi

Lajme te ngjashme