Shqipëria e fundit në Europë në Indeksin e Lumturisë së OKB

Nga Exit News
Shqipëria e fundit në Europë në Indeksin e Lumturisë së OKB

Shqipëria ka indeksin më të ulët të lumturisë në rajon dhe ndër më të ulëtit në Europë sipas raportit të Lumturisë në Botë të vitit 2020.

Të dhënat e marra në periudhën 2017-2019, tregojnë se Shqipëria renditet e 105-ta nga 153 vende. Të vetmet vende europiane më poshtë janë Ukraina dhe Armenia.

Sa i përket rajonit, Maqedonia e Veriut renditet e 90, Bosnja dhe Mali i Zi respektivisht 69, 70 ndërsa Serbia e 64. Kosova renditet shumë më lartë, në vendin e 35-të.

Indeksi i Shqipërisë vlerësohet 4.88 nga raporti i cili tregon se gjatë tre viteve ai ka rënë me 0.65, një nga më të lartat në botë. Duke marrë parasysh vlerësimin aktual, Shqipëria llogaritet të ketë humbur 25 vende në renditje.

Raporti i Lumturisë në Botë është një botim i Kombeve të Bashkuara. Ai përmban artikuj dhe renditje të lumturisë kombëtare, bazuar në vlerësimet e të anketuarve për jetën e tyre, të cilat raporti gjithashtu i lidh me faktorë të ndryshëm.

Raporti Botëror i Lumturisë 2020, i lëshuar më 20 Mars, 2020, rendit 156 vende bazuar në mesataren e tre sondazheve vjetore të bërë midis 2017 dhe 2019. Raporti i vitit 2020 fokusohet veçanërisht në mjedis – social, urban dhe natyror, dhe përfshin lidhjet midis lumturisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Finlanda renditet si vendi më i lumtur në botë për të tretin vit radhazi. Ajo pasohet nga Danimarka, Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. Afganistani mori rezultatin më të ulët, me Sudanin e Jugut dhe Zimbabve. Përveç renditjes së vendeve, ky është viti i parë që Raporti Botëror i Lumturisë rendit qytetet. Qyteti më i lumtur në botë është Helsinki, kryeqyteti i Finlandës. Raporti tregon se renditja e lumturisë së qyteteve është pothuajse identike me atë të vendeve në të cilat ndodhen.

Sa i përket Tiranës ajo ka lënë mbrapa vetëm dy qytete europiane, Prishtinën dhe Kievin.

Tirana renditet e 126-ta nga 186 vende të analizuara në raport. Gjatë tre viteve të fundit indeksi i lumturisë së qytetit është rritur me 0.3 ose 20 vende.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>