Cilësia e ujit të detit në rreth 45 për qind të plazheve shqiptare është e dobët ose jashtë standardeve minimale për t’u larë. Kjo është përqindja më e lartë e plazheve të ndotura krahasuar me 30 vendet e studiuara nga Agjensia Evropiane e Mjedisit (AEM) – agjencia zyrtare e mjedisit e BE-së.
Raporti i përvitshëm i AEM hartohet mbi rezultatet e analizës së kampioneve të ujit në rreth 22 mijë plazhe të ndryshme të Europës.
Në Shqipëri janë marrë kampione uji në 102 plazhe, të cilat pastaj analizohen për dy lloje bakteresh që tregojnë ndotjen nga ujërat e zeza ose nga kafshët.
Sipas raportit, në 55 për qind të plazheve cilësia e ujit është e shkëlqyer, në rreth 33 për qind është në cilësi shumë të dobët ndërsa në 12 për qind është jashtë standardeve normale për tu larë dhe shfrytëzuar si plazh.
Ky raport godet zhvillimin e turizmit në vend pikërisht përpara fillimit të sezonit, sidomos krahasuar me vendet e rajonit Kroaci dhe Greqi, ku cilësia e ujërave është në nivele shumë më të mira.
Kështu në Kroaci, uji në rreth 94 për qind të plazheve është në gjendje të shkëlqyer dhe në asnjë plazh nuk është jashtë standardeve. Ndërsa në Greqi uji në 96 për qind të plazheve është në gjendje të shkëlqyer dhe në asnjë plazh nuk është jashtë standardeve.