Për të kuptuar krizën e moralit në modernitet, Alasdair McIntyre na nxit të përfytyrojmë një botë ku, pas një vargu fatkeqësish natyrore, popullsia fajëson shkencëtarët për katastrofën. Protesta të mëdha shpërthejnë në të katër anët, laboratorët shkrumbohen dhe fizikanët përndiqen, librat dhe instrumentat shkatërrohen. Si përfundim, një lëvizje politike e Hiçmosdijes merr pushtetin dhe ndalon me ligj mësimin e shkencave, duke burgosur dhe ekzekutuar shkencëtarët.
Pas njëfarë kohe, njerëz të ndriçuar nisin ta kundërshtojnë këtë lëvizje destruktive dhe kërkojnë të rigjallërojnë shkencën, ndonëse kanë harruar shumëçka prej saj. Çfarë u ka mbetur janë fragmente, copëza dijeje mbi eksperimente të shkëputura nga ndonjë teori, dromca teorike të palidhura me njëra-tjetrën, instrumente që ua kanë harruar përdorimin, gjysëmkapituj librash dhe fletë të shkulura artikujsh pjesërisht të palexueshme për shkak të dëmtimit dhe lagështirës.
Të rriturit debatojnë rreth pikave të forta të teorisë së relativitetit, të evolucionit apo të flogistonit, ndonëse zotërojnë vetëm një njohje të fragmentuar të tyre. Fëmijët mësojnë përmendësh copëzat e shpëtuara të tabelës së Mendelejevit dhe recitojnë si lutje disa nga teoremat e Euklidit.
Askush nuk është i vetëdijshëm se ajo që po bëjnë nuk është shkencë, në cilindo kuptim që ta marrësh. Ato që kanë në dorë janë vetëm copëza të prejardhura nga ligje të caktuara koherence dhe konsistence, që fatkeqësisht janë humbur, ndoshta në mënyrë të pakthyeshme.
Rruga e shtetndërtimit të Shqipërisë humbi në vitin 1939, porsi në një skenar fantastiko-shkencor. Pushtimi fashist i hapi rrugën marrjes së pushtetit me dhunë nga komunistët dhe instalimit të një sundimi terrorist në vitin 1944. Ndryshimi i regjimit në vitin 1990 i gjeti shqiptarët tërësisht të analfabetizuar në fushën e politikës dhe pjesëmarrjes në debatin publik mbi atë se si duhej të ishte Shqipëria e aspiratave të tyre.
Jetëgjatësia e diktaturës komuniste ishte mëse e mjaftueshme për të fshirë përfundimisht nga memoria kolektive atë kulturë të shtetndërtimit dhe kombformimit që ishte ngjizur me Rilindjen Kombëtare dhe kishte nisur të ndërtohej me themelimin e shtetit të ri shqiptar dhe formimin e institucioneve shtetërore.
Mbretërisë Shqiptare, që ishte kulmi i shtetndërtimit dhe kombformimit të shqiptarëve, iu këput jeta në mënyrë të përgjakshme. Dijetarët shqiptarë u shkuan në bajoneta, u kalbën burgjeve dhe u groposën pa nam e pa nishan. Dijet dhe librat u zhuritën në zjarrin ideologjik të marksizëm-leninizmit. Shtëpitë e Zotit u shembën. Shtëpitë e shqiptarëve u bënë konvikte. Njerëzit e lirë vdiqën dhe vendin e tyre e zunë skllevër.
Në këtë skenë apokaliptike erdhi demokracia në Shqipëri; një demokraturë, krijesë e mendjes djallëzore të regjimit diktatorial dhe trurit argat të skllevërve të tij. Gjysëm të ndriçuar, shqiptarët janë tërësisht të privuar nga mendimi i lirë, të pavetëdijshëm për idetë e plota dhe të shkëputur nga trashëgimia e domosdoshme e brezave pararendës.
Gjithë debati publik qorrollepset nëpër sokaqet e pandriçuara të trashëgimisë së keqe komuniste. Shqiptarët po mundohen të ndërtojnë një vend me copëzat e një shoqërie që është harruar nga shumica prej nesh.
Ilustrimi më i freskët i kësaj amnezie kombëtare është e ashtuquajtura reformë në drejtësi, që po zbatohet me një mendjelehtësi të domosdoshme për të shkruar edhe një kapitull për endjen e shqiptarëve si çifuti në shkretëtirë. Janë hedhur në erë të gjitha institucionet dhe vendi është degdisur në një sofër oligarkësh, mafiozësh dhe pushtetarësh tellallë të tyre.
Ata takohen nëpër studiot televizive, aty ku gatuhet gjella e mërzitshme dhe e varfër e mendjeve të shqiptarëve të thjeshtë, hiçmosdijës dhe gjysëm të mësuar, dhe turbullojnë edhe atë pak qartësi që ka mbetur. Idetë, që duhet të ishin themeli i debatit publik mbi atë se si duhet të jetë Shqipëria, janë tërësisht të parëndësishme në këtë ngrefosje mercenarësh.
Se si Shqipëria mund të jetë një vend më i mirë, më i jetueshëm, më i begatë dhe më i qëndrueshëm për ne dhe për brezat pas nesh, për ta ky është një debat naiv dhe i paleverdi.
Se si në Shqipëri mund të themelohet një politikëbërje e udhëhequr nga interesi publik dhe një ekonomi e lire, ku gjithkush mund të kërkojë të lulëzojë pa u shtrënguar nga darët e monopoleve dhe oligopoleve të mafia-oligarkisë, për ta kjo është një temë që ngrihet nga ziliqarët e atyre që kanë sukses.
Se si mund të themelohen dhe forcohen institucione që garantojnë drejtësi si në vendet me demokraci të zhvilluar, për ta këto janë përralla, që u mësohen studentëve nëpër auditore.
Për ta, historia u përket fitimtarëve dhe skrupujt, parimet dhe idetë janë ngushëllimet e dështakëve.
Pas 30 viteve tranzicion dhe 45 viteve diktaturë, Shqipëria është një tablo e fantashkencës. Njerëzit e politikës, akademisë dhe debatit publik përdorin fjalë të ligjërimit publik në demokracitë e zhvilluara, por gjuha e tyre nuk ka asgjë të përbashkët gjuhën e atij ligjërimi.
Edhe përpjekjet qëllimmira të opozitës janë në një stad të kobshëm kaosi dhe fragmentimi. Ajo është vënë me shpatulla pas muri nga mafia-shteti i gjithëpushtetshëm i Ramës dhe Veliajt. Opozita mund të vazhdojë të përdorë shprehje të rëndësishme të huazuara nga idetë e lirisë dhe demokracisë, por pa arritur të ndërtojë kontekstin nga i cili ato ide përftojnë domethënien dhe rëndësinë e tyre.
Shqiptarët kanë mbërritur në një faze, ku nuk janë më të vetëdijshëm për shkallën e katastrofës që kanë vuajtur. Detyra e opozitës, akademisë dhe medias mbetet rindërtimi i vështirë i një narrative tripjesëshe, në të cilën regjimi mafiokratik i Ramës dhe Veliajt është vetëm kulminacioni i pjesës së tretë të saj.
Pjesa e parë e kësaj narrative është mendimi i Rilindjes Kombëtare, i ngritur mbi një trashëgimi qytetërimore pluraliste dhe i orientuar drejt një shteti e identiteti kombëtar. Këtu bën pjesë edhe debati publik dhe politikëbërja e periudhës ndërmjet dy luftërave botërore. Ajo është një etapë e lulëzimit të mendimit intelektual e politik për atë se çfarë duhej të ishte Shqipëria e mirë dhe e begatë.
Këtu ne vuajmë mallkimin e fragmentimit. Ne zotërojmë vetëm disa copëzave të mendimit politik shqiptar të periudhës së pavarësisë, kuptimin dhe përdorimin e të cilave nuk e dimë. Nga kjo periudhë e frytshme e diskutimit për shtetndërtimin, politikën, publiken dhe të përbashkëtën, ne kemi arritur të shfletojmë vetëm disa kapituj të shkëputur, falë disa ribotimeve.
Mjerisht, periudha e Mbretërisë vazhdon të lexohet me gjyslykët e historiografisë komuniste. Ne nuk dimë pothuajse asgjë për historinë e institucioneve dhe jetën e qyteteve të asaj periudhe.
Hedhja dritë mbi këtë histori të suksesshme të kombit kërcënohet nga thellësia e pasojave të katastrofës komuniste, pasi shumica e shqiptarëve nuk e kuptojnë atë si një katastrofë. Veçanërisht për brezin pas 1990, historia përfaqësohet nga historia akademike, e cila është e gjitha një histori komuniste.
Pjesa e dytë e kësaj narrative iluminuese, që duhet të zbardhet, është katastrofa komuniste, e cila është mjegulluar në mënyrë më të sofistikuar.
Me gjithë ligjërimin e thatë politik anti-komunist, sot ka më shumë lexime humane sesa vrojtime kritike të historisë së diktaturës. Një kontribut të mirë po jep një nisëm civile, kujto.al, që hedh hedh dritë mbi dramat e intelektualëve, klerikëve dhe veprimtarëve anti-komunistë nën diktaturë. Nën modelin e saj mund të zbardhet e gjithë harta e humbjes së vetëdijes kolektive mbi atë që ishim përpara kësaj katastrofe.
Pjesa e tretë e narrativës së iluminimit do të duhet të realizojë dy detyra kryesore.
E para është sipërmarrja për vetëdijësimin e shqiptarëve dhe informimin e debatit publik me të vërtetën e përfytyrimit të fragmentuar që kemi për shtetin, politikën dhe sferën publike.
Sipërmarrja e dytë është kultivimi i debatit me idetë e lirisë dhe rolin që luan e shkuara dhe trashëgimia në vendimmarrjen tonë të përditshme. Kthjellimi i themeleve ideore të të djathtës dhe angazhimi i njerëzve të pajisur me këtë kuadër idesh është i domosdoshëm që opozita të mund ta kryejë me sukses këtë mision.
Nevojitet, pra, një reformë kulturore, që na aftëson të ringremë lidhjet me kaluarën, me atë fillim të mbarë që u ndërpre më 7 prill 1939 dhe u shkrumbua nga 45 vite traumë komuniste. Aty duhet rifilluar për të vazhduar rrugën e humbur të kombformimit dhe ndërtimit të një shoqërie të bazuar mbi idetë; një shoqërie ku debatohen idetë, jo kopje të fragmentuara idesh, origjinalin e të cilave nuk e kemi.