Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të nënshkruajnë marrëveshjen e parë të minishengenit, Marrëveshjen për Njohjen e Çertifikatave Fitosanitare.
Marrëveshja do të lehtësojë tregtinë dhe shkëmbimin e produkteve bujqësore midis dy vendeve.
Në një video konferencë, të enjten, ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi dhe ai maqedonas Trajan Dimkovski u dakortësuan për draftin final, i cili mori 6 muaj kohë për tu hartuar.
“Pothuajse gjithçka është gati tani. Ne kemi versionin përfundimtar të marrëveshjes për njohjen e certifikatave fitosanitare për të dy vendet. Jam i lumtur që kemi përfunduar diçka, për të cilën filluam diskutimin gjashtë muaj më parë. Çdo krizë është një mundësi për të ecur përpara, kështu që le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ecur përpara dhe për të nënshkruar këtë marrëveshje shumë të rëndësishme së bashku” pohoi Çuçi.
Nënshkrimi do të realizohet pasi secila qeveri të ketë ndjekur procedurat ligjore. Një zëdhënës i Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri tha se përveç kësaj marrëveshje, ata janë duke punuar në bashkëpunim në fushën e mjekësisë veterinare dhe ruajtjen, monitorimin dhe menaxhimin e peshkimit në Liqenin e Prespës.