Sulmet e qeverisë dhe krimit të organizuar ndaj medias gjatë vitit të fundit e kanë përkeqësuar gjendjen e shtypit në Shqipëri si kurrë më parë. Ky është përfundimi i raportit vjetor të Reporterëve Pa Kufij (RSF) – një prej organizatave më të respektuara në botë, që mbikëqyr gjendjen e medias në të gjitha vendet. Si rrjedhojë, renditja e Shqipërisë në Indeksin Global të Lirisë së Medias është përkeqësuar duke zbritur shtatë vende më poshtë brenda një viti.
Në raportin e fundit të RSF-së, Shqipëria rendidet në vendin e 82-të nga 180 vende të botës. Teksa liria e medias në vend ishte përmirësuar, duke e sjellë Shqipërinë në vendin e 75-të në renditjen botërore në vitin 2018, brenda vetëm 12 muajve kjo renditje u përkeqësua me 7 vende rënie në renditje.
Këtë vit Shqipëria renditet krah Kirgistanit, Timorit Lindor, ndërsa Mongolia, Kroacia dhe Tunisia, vende që nuk janë të njohura për tolerancën ndaj medias dhe lirisë së shprehjes, u renditën më mirë se Shqipëria.
Për situatën e medias në Shqipëri, RSF shkruan:
“Sulmet ndaj mediave nga qeveria dhe krimi i organizuar arritën një nivel të paprecedentë në vitin 2018. Gazetarët u përballën me ofendime, sulme, kërcënime me vdekje dhe padi penale e civile për t’i trembur dhe penguar ata në hetimin e korrupsionit.
Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i kanë quajtur gazetarët ‘kazan’, ‘plehra’ dhe si prodhues të lajmeve të rreme.
Kryeministri Rama ka propozuar një ligj që forcon kontrollin e shtetit mbi median dhe sipas organizatave ndërkombëtare, ky ligj kufizon qasjen në informacion të qytetarëve dhe cenon lirinë e gazetarëve.
Një raport i përbashkët i botuar nga RSF dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në mars të vitit 2018, ka raportuar mbi një sërë kërcënimesh ndaj mediave në Shqipëri. Raporti gjeti se standardet rregullatore manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe se pronësia e mediave elektronike është e përqendruar në duart e disa biznesmenëve të mëdhenj. Kjo ka krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është e përhapur dhe 80 për qind e gazetarëve nuk kanë besim në të ardhmen e tyre profesionale.”