Autoritetet shqiptare i kanë refuzuar kërkesën për azil turkut Selami Simsek, mbështes i lëvizjes Gylen dhe në kërkim nga Turqia.
Refuzimi i kërkesës për azil do të thotë se Simseku duhet të esktradohet në Turqi – ku lëvizje gyleniste quhet ‘terroriste’ dhe mbështetësit e saj burgosen dhe keqtrajtohen.
Simsek u arrestua bashkë me turkun tjetër Harun Çelik, teksa po udhëtonin në aeroportin e Rinasit, tranzit për në Kanada me pasaporta false.
Çeliku u dënua me 5 muaj burg për dhe pas shlyerjes së dënimit u dërgua në Turqi, pavarësisht se kishte kërkuar azil politik.
Me të mbërritur në Turqi, Harun Çelik u përball me akuzat e pjesëmarrjes në organizatën e Gülen dhe u arrestua.
Pas tij, në fund të janarit 2020, edhe Simseku u dënua me 1 vit burg për falsifikim dokumentesh. Atij iu refuzua kërkesa për azil në Shqipëri, megjithëse i rrezikohej jeta në rast ekstradimi në Turqi. Dyshohet se ai po mbahet jashtë çdo rregulli në Ministrinë e Brendshme, e cila po përgatit ekstradimin e tij në Turqi.
Refuzimin për azil të dy turqve, të cilëve në Turqi i rrezikohet jeta po e heton dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Në maj 2020 OKB ka nisur hetimin ndaj qeverisë shqiptare për arrestimin e ekstradimin e të dy turqve.
Delegacioni i BE-së në Tiranë ka pohuar për Exit News se qeveria shqiptare duhet të ndiqte procedurat ligjore dhe detyrimet ndërkombëtare për këto dy shtetas. Dëbimin e Çelikut, Këshilli i Europës e quajti shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa eurodeputetja Ramona Strugariu, i ka kërkuar shtetit shqiptar të bëjë transparente procedurat që u ndoqën për dërgimin e tij në Turqi.