Një studim i ri parashikon se 12 vende me raporte gjinore të çrregullta, përfshirë Shqipërinë, do të përballen me humbjen e 4.7 milion grave deri në vitin 2030.
I publikuar në British Medical Journal, studimi shqyrton rastet e aborteve përzgjedhëse në bazë të gjinisë nga vende të ndryshme dhe ndikimin që ka në raportet e lindjes së meshkujve ndaj femrave. U zbulua se tendencat aktuale do të çojnë në “çekuilibër seksual afatgjatë” në rreth një të tretën e popullsisë së botës, me ndikime të panjohura sociale dhe ekonomike.
Studimi analizoi 3.26 miliardë regjistrime të lindjeve nga 204 vende dhe identifikoi 12 të cilat ishin problematike, që përfshinin Shqipërinë, Kinën, Indinë, Armeninë, Azerbajxhanin dhe Vietnamin.
Që prej vitit 1970, vlerësohet se mes 23 dhe 25 milion gra janë humbur, për shkak të praktikës së abortit përzgjedhës në bazë të seksit, vrasjes së foshnjave femra dhe niveleve më të ulëta të kujdesit shëndetësor për vajzat e vogla. Nëse trendet aktuale vazhdojnë, numri i grave të humbura mund të arrijë në 5.7 milion deri në 2100.
Studimi vë në dukje se shumë qeveri kishin rritur masat për kundërshtimin e praktikave të tilla, por nevojitet më shumë punë, veçanërisht në Shqipëri, Kinë dhe Indi. Ka shqetësime se mund të krijohet precedentë për diku tjetër.
“Këto gjetje nënvizojnë nevojën për të monitoruar [raportin gjinor në lindje] në vendet me preferencë për djalin dhe për të adresuar faktorët që qëndrojnë prapa këmbënguljes së paragjykimeve gjinore në familje dhe institucione,” shkruajnë autorët.
“Një objektiv më i gjerë lidhet me nevojën për të ndikuar në normat gjinore, të cilat qëndrojnë në thelbin e praktikave të dëmshme siç është përzgjedhja e gjinisë para lindjes,”shtuan ata.
Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se raporti i lindjes djalë-vajzë në Shqipëri është ende në nivele të panatyrshme. 107 djem kanë lindur për çdo 100 vajza. Niveli normal është 105 djem për çdo 100 vajza, që sugjeron se abortet me bazë seksi janë ende të përhapura.