Shqipëria ka marrë të mërkurën një Eurobond – borxh në tregjet ndërkombëtare,- me vlerë 650 milionë euro.
Lajmin e dhanë në një konferencë të përbashkët për shtyp Kryeministri Edi Rama, ministrja e Financave Anila Denaj dhe ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Rama dhe Ahmetaj e quajtën marrjen e borxhit ‘sukses’ dhe ‘tregues’ se Shqipëria është e besueshme në tregjet ndërkombëtare.
Kryeministri u shpreh:
“Ne kemi marrë një konfirmim nga tregjet. Kjo na bën një vend të besueshëm, na jep mundësinë të zgjerojmë bazën tonë të financimit të ekonomisë dhe financimeve.”
Ministrja e Financave Anila Denaj sqaroi se borxhi do të ketë një interes prej 3.625 për qind dhe do duhet të shlyhet për 7 vite.
Sipas relacionit të qeverisë për marrjen e eurobondit, shuma prej 650 milionë eurosh do të përdoret:
- 250 milionë euro për të shlyer detyrimin e prapambetur nga një Eurobond i marrë në vitin 2015;
- 400 milionë euro për të plotësuar nevojat për financim për vitin 2020.