
Sllovakia i dorëzoi sot zyrtarisht Kryesinë e OSBE-së Shqipërisë. Lajmi u njoftua përmes një postimi në Facebook nga zëvendësministri i Jashtëm Gent Cakaj.
Në postimin e tij Zoti Cakaj tha:
“Për një vit me rradhë, Shqipëria do të jetë kryesuese e organizatës më të madhe të sigurisë në botë, duke mbuluar gjithë hapësirën nga Vankuveri në Vladivostok!
Ky moment shënon suksesin më të madh në historinë e diplomacisë shumëpalëshe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO!”
Zëvendësministri theksoi se Shqipëria ka kapacitete të plota për të adresuar prioritetet e Kryesisë së saj në mënyrë efektive dhe për të kryer detyrimet ndaj vendeve pjesëmarrëse.
Zëri i Amerikës ka analizuar më parë se Shqipëria e fillon kryesinë e OSBE-së për vitin 2020, ndërsa rajoni ku vepron organizata përballet me sfida të konsiderueshme sigurie dhe të demokracisë dhe vetë vendi përballet me probleme politike.