Shqipëria ndër 3 vendet e fundit në Europë për biznes

Shqipëria ndër 3 vendet e fundit në Europë për biznes

Shqipëria është ndër tre vendet më pak të favorshme për të bërë biznes në Europë.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore “Doing Business 2020′, Shqipëria renditet e 54-ta mes 56 vendeve të Europës dhe në vend të 82-të mes 190 shteteve në botë.

Shqipëria ka humbur 19 vende, krahasuar me një vit më parë, kur renditej në vend të 63-të, duke u rikthyer në të njëjtën klimë të viteve 2011-2012.

Në Europë, Shqipëria lë pas vetëm Maltën dhe Bosnje-Hercegovinën.

‘Doing business 2020’ ka vlerësuar faktorёt qё lehtёsojnё ose pengojnё biznesin nё 190 vende tё botёs pёr periudhën maj 2018–maj 2019. Në Shqipëri, raporti është përqendruar vetëm në qytetin e Tiranës.

Disa prej faktorëve që raporti vlerëson janë procedurat për nisjen e një biznesi; regjistrimin e pasurive; pagimin e taksave; respektimin e kontratave; marrjen e kredive; lejet e ndërtimit; sigurimin e energjisë elektrike, etj.

Mes gjithë faktorëve, Shqipëria është vlerësuar më dobët për lejet e ndërtimit, duke u renditur në vendin e 166-të në botë. Krahasuar më një vit më parë, Shqipëria ka rënë me 15 vende në këtë tregues.

Një tjetër faktor ku Shqipëria është përkeqësuar janë taksat, për të cilat vendi renditet i 123-ti në botë.

Faktori i vetëm që është përmirësuar krahasuar me një vit më parë  është ai i marrjes së elektricitetit, nga vendi i 140-të në të 107-tin.

Në rajonin e Ballkanit, më mirë renditet Maqedonia e Veriut, e 17-të në gjithë botën, më pas Mali i Zi, Serbia e Kosova.

Pavarësisht se raporti vëzhgon vetëm 12 faktorët dhe lë jashtë shumë të tjerë, ai ndikon deri diku në imazhin ndërkombëtar të një vendi për të tërhequr investitorë të huaj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>