Shqipëria ndër tre të fundit në Evropë për lirinë e medias

Shqipëria ndër tre të fundit në Evropë për lirinë e medias

Shqipëria renditet ndër tre vendet e fundit në Evropë për lirinë e medias. Ky është përfundimi i raportit të Freedom House për Lirinë e Medias 2017.

Raporti vlerëson shkallën e lirisë së medias në 199 vende dhe territore në gjithë botën, duke vëzhguar situatën politike dhe ekonomike të vendit, ndikimin e qeverisë, bizneseve apo grupeve kriminale në media dhe mbulim e ngjarjeve nga kjo e fundit.

Sipas raportit, media në Shqipëri vlerësohet si pjesërisht e lirë, prej vitesh tashmë.

Liria e medias shqiptare vlerësohet në total me 51 pikë -në një sistem vlerësimi 0 deri në 100, ku 0 tregon lirinë e plotë, ndërsa 100 mungesën totale të lirisë.

Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, media shqiptare vazhdon të ndikohet nga politika apo biznesi privat. Një alternativë më e pavarur dhe më e lirë po ofrohet nga disa media dhe blogje online, të cilët kohët e fundit po përhapen gjithnjë e më shumë, por që shpesh janë sulmuar nga qeveria.

Në Evropë, Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë, e cila prej kohësh është e përfshirë në skandale mediatike e kriza politike dhe Turqinë, e cila de facto ka kaluar në një regjim autoritar nën drejtimin e Erdogan.

 

Lajme te ngjashme