Taksat në Shqipëri janë të ulta në krahasim me Europën dhe në raport me fuqinë ekonomike të vendit.
“Shqipëria është një nga shtetet që si përqindje të GDP paguan taksat më të ulta në Europë, krahasuar me vendet e tjera të kontinentit”, tha ekonomisti Endrit Yzeiraj në një intervistë në emisionin “Me Pak Fjalë” në Euronews.
Shqipëria rezulton se është një nga 10 vendet me tatimin më të ulët në botë për kompanitë.
Pesha që të ardhurat nga taksat kanë në ekonominë Shqiptare është 25% e GDP-së.
Megjithatë perceptimi në shoqëri është se taksat e larta po i varfërojnë njerëzit duke nxitur edhe partitë politike të bëjnë çështje kryesore uljen e tyre sa më shumë.
Sipas Yzeirajt kjo ndodh për shkak se në Shqipëri, “qytetarët dhe bizneset përballen edhe me kosto të tjera, me infrastukturën e dobët, me cilësinë e ulët të kapitalit njerëzor, me probleme të ndryshme burokratike”.
Ai shtoi se nga ana tjetër, shqiptarëve i duhet të përballen edhe me një “sistem tatimor që nuk i kthen në mënyrë transparente taksat në shërbime” duke bërë që njerëzit “t’i shohin taksat si ngarkesë shtesë dhe bëjnë më shumë evazion”.
Yzeiraj argumentoi se rritja ose ulja e taksave nuk do të garantojë rritjen e të ardhurave të shtetit dhe cilësinë e shërbimeve tij.
Por ai tha se “shtetet që i kthejnë në mënyrë transparente taksat tek shërbimet janë edhe shtetet që mbledhin më shumë taksa”.
Sa më mirë t’i përdorë qeveria taksat aq më shumë janë të gatshëm njerëzit për t’i paguar ato.
Ndaj çdo diskutim për taksat dhe nivelin e tyre nuk mund të shkëputet nga diskutimi mbi transparencën dhe efikasitetin e përdorimit të të ardhurave të taksave nga qeveria.
Perceptimi i taksave të larta që pengojnë rritjen e mirëqenies ka si shkak mos kthimin e tyre në shërbime cilësore dhe jo nivelin konkret të taksave.