Shqipëria nënshkruan deklaratën e OKB për luftën ndaj korrupsionit

Shqipëria nënshkruan deklaratën e OKB për luftën ndaj korrupsionit

Shqipëria ka rënë dakord për një deklaratë 86-pikëshe të OKB-së për të mbrojtur gazetarët, për të ndjekur penalisht zyrtarë të lartë akuzuar për korrupsion dhe për të krijuar një qasje shumëpalëshe për të luftuar fenomenin.

Rezoluta mbi “sfidat dhe masat për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin dhe forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar” u nënshkrua javën e kaluar në Sesionin e Parë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB kundër Korrupsionit.

Ajo fillon duke vërejtur se Shtetet Anëtare të OKB, përfshirë Shqipërinë, janë “të shqetësuar për seriozitetin e problemeve dhe kërcënimeve që paraqiet korrupsioni” dhe ndikimin që ai ka në demokraci, etikë, drejtësi, shtetin e së drejtës, institucionet dhe shoqërinë si një e tërë.

Shqipëria më pas premton të ndjekë një qasje shumëpalëshe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Ajo bie dakord të përfshijë 86 pikat e deklaratës në ligjet vendore.

Me interes të veçantë ishte pika 31, në të cilën Shqipëria zotohet të:

Përpiqet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të duhur për gazetarët dhe të hetojë, ndjekë penalisht dhe ndëshkojë kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj tyre, që bien në juridiksionit tonë.”

Rezoluta e firmosur nga Shqipëria vë në dukje “rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat dhe medias në identifikimin, zbulimin dhe raportimin e rasteve të korrupsionit“, duke shtuar se do të promovojë pjesëmarrjen e tyre aktive në luftën kundër korrupsionit. Dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për ndikimin e korrupsionit.

Përsa i përket qasjes në informacion, vendet bien dakord të “respektojnë, promovojnë dhe mbrojnë lirinë për të kërkuar, marrë, botuar dhe shpërndarë informacion në lidhje me korrupsionin.” Ato shtojnë se pjesëmarrja e këtyre grupeve nuk do të rezultojë në ndonjë hakmarrje apo ndikim negativ.

Qeveria shqiptare është zotuar gjithashtu të bëjë informacionin më të arritshëm dhe të disponueshëm për ata që duan t’i kërkojnë pushtetit llogari. Kjo përfshin lehtësimin e qasjes në informacion përmes mjeteve digjitale, të dhënave të hapura, portaleve të bazuara në internet dhe mjeteve të tjera.

Nënshkrimi i qeverisë shqiptare në dokument do të thotë se ajo deklaron se refuzon “korrupsionin dhe do të zbatojë masa për ta zbuluar më mirë atë me qëllim që t’i japë fund mosndëshkimit”

“Ne angazhohemi për kriminalizimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e akteve të korrupsionit dhe veprave të ngjashme në sektorin publik dhe privat. Ne angazhohemi që të kemi në fuqi dhe të zbatojmë sanksione penale ose jo-penale efektive, proporcionale, dekurajuese dhe jodiskriminuese ndaj personave fizikë dhe juridikë për korrupsion dhe vepra të ngjashme,” lexon më tej deklarata.

Nënshkruesit gjithashtu janë zotuar të kuptojnë dhe mbështesin rëndësinë e një “sistemi gjyqësor të pavarur dhe transparent“, i cili mbështet standardet etike dhe të integritetit.

Për sa i përket korrupsionit, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.

Pastrimi i parave, kultivimi dhe trafikimi i drogës, trafikimi i qenieve njerëzore, blerja e votave dhe frikësimi i votuesve, korrupsioni në polici, gjyqësor, institucione dhe qeveri, si dhe rënia e vazhdueshme në treguesit e lirisë së mediave janë vetëm disa nga çështjet e pazgjidhura.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>