Shqipëria nuk e përfilli, djalin e Rudi Vatës e grumbullon Irlanda

Nga Erblin Vukaj
Shqipëria nuk e përfilli, djalin e Rudi Vatës e grumbullon Irlanda

Djali i ish-kapitenit të kombëtares Rudi Vata është grumbulluar me skuadrat zinxhire të përfaqësueses Irlandeze të futbollit. Ish-kapiteni është shprehur për mediat skoceze se Shqipëria nuk e kontaktoi në asnjë moment dhe se ai nuk do ta diktojë zgjedhjen e djalit të tij.

Rocco Vata, 14-vjeç, luan për skuadrën skoceze të Celtic-ut në Glasgow. Ai mund të përfaqësonte Shqipërinë, Skocinë dhe Malin e Zi, por ishte Irlanda që e grumbulloi e para. Ajo përfitoi prej prejardhjes së gjyshes së tij nga ana e mamasë. Rocco është përfshirë në listën e skuadrës U-15 që do të luajë sot kundër Polonisë.

Në një intervistë të mëparshme, Rudi, i cili ka luajtur rreth 60 ndeshje për ekipin kombëtar, e ka përshkruar djalin e tij “më të talentuar se ai”. Sidoqoftë ky talent nuk i ka rënë në sy përgjegjësve të skuadrave të moshave në Federatën Shqiptare të Futbollit:

“Askush te FSHF-ja nuk më ka kontaktuar për Roccon. E di që Skocia e ka ndjekur, por Federata Irlandeze ishte e para. E di, në Shqipëri besoj se shumë njerëz do të më shajnë, por nëse Shqipëria (FSHF) do të ishte aq profesionale sa të bënte mirë detyrat e shtëpisë do ta kishte kuptuar që Rocco po luante për Celtic-un dhe duhej të më kontaktonin”.

Ish-kapitenin e kombëtares duket se e ka bërë të ndihet keq kjo mungesë interesi aq sa të thotë se “nëse ata (FSHF) nuk tregojnë në të ardhmen respekt, dëshirë apo profesionalizëm, Rocco nuk do të luajë kurrë për Shqipërinë”.

Vata ka luajtur për tre vite e gjysmë me Celtic-un në mes viteve ’90. Ai është në librat e historisë si shqiptari i vetëm që ka mundur të shënojë gol në një derbi të “Old Firm”, derbi më i vjetër në planet. Prej përvojës së tij me keltët, Vata gëzon konsideratë prej tifozëve dhe mbështetet shumë edhe nga klubi.

Djali i tij, Rocco, shfaqej në anën ballore të biletave të sezonit 2018/19 për ndeshjet e Celtic-ut, krah sulmuesit të skuadrës së parë James Forrest dhe talentit tjetër adoleshent Karamoko Dembele.

Nuk mund t’ia diktoj (djalit) vendimin. Çdo gjë mund të ndodhë në të ardhmen, por ishte Irlanda që tregoi respekt dhe interes për të. Rocco ndihet i përfshirë dhe shpresoj që t’i bëjë mirë dhe të fitojë përvojë, ka potencial për t’u bërë dikushi”.

Aktivizimi me skuadrat zinxhire të një përfaqësuese nuk është problem i pazgjidhshëm në situatat kur lojtari pasi mbush moshën madhore kërkon të përfaqësojë një shtet tjetër prej nga ku ka prejardhjen. Shembuj të ngjashëm ka shumë në kombëtaren shqiptare ku së fundmi për një zgjidhje të tillë pret përgjigjie Florian Kamberi. Ky, kur ishte adoleshent përfaqësonte Zvicrën.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>