Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka raportuar deri më sot rreth 400 të infektuar me koronavirus. Të gjitha shtetet rajonit e kanë vlerësuar situatën me rrezik të lartë, por vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Shqipëria (2 viktima) dhe Serbia (1 viktimë) janë vendet më të tronditura në rajon.
Exit News përmbledh si më poshtë raportimet e të infektuarve në rajon:
- Serbia – 135 të infektuar, 1 i vdekur, 2 të riaftësuar
- Bosnje e Hercegovina – 82 të infektuar, 2 të riaftësuar
- Maqedonia e Veriut – 70 të infektuar, 1 i riaftësuar
- Shqipëria – 70 të infektuar, 2 të vdekur, 1 i riaftësuar
- Kosova – 22 të infektuar
- Mali i Zi – 14 të infektuar
Më shumë se 250 000 njerëz në 120 shtete të ndryshme të botës janë infektuar deri më sot nga koronavirusi. Rreth 90 000 janë shëruar ndërsa 10 000 kanë vdekur.
Në këto shifra bëjnë pjesë të paktën 400 të infektuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku shteti i fundit që u prek ishte Mali i Zi, më 17 mars.
Për të frenuar përhapjen e koronavirusit të gjitha shtetet e rajonit kanë kufizuar lëvizjet, fluturimet, kalimin në pikat kufitare, janë ndaluar tubimet, aktivitetet dhe grumbullimet e njerëzve si dhe është pezulluar mësimin në shkolla.
Serbia shpalli gjendje të jashtëzakonshme më 15 mars, ndërsa Maqedonia e Veriut më 18 mars.
Megjithëse ka patur 2 viktima, Shqipëria nuk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, por ka ashpërsuar kufizimet e lëvizjes.
Pasi policia gjobiti me një total prej 82 mijë eurosh më shumë se 440 qytetarë 3 ditët e fundit, Kryeministri Rama vendosi të ndalojë plotësisht lëvizjet të dielën.
Ditët e fundit janë lejuar vetëm 6 orë lëvizje me 2 fasho oraresh 06:00-10:00 dhe 16:00-18:00.
Ndryshe Serbia, që është në gjendje të jashtëzakonshme, kufizon lëvizjet dhe grumbullimet në oraret 20:00-05:00.
Numri i të infektuarve në Serbi është rritur ndjeshëm, ndërsa infeksioni ka ardhur kryesisht nga Italia, Hungaria dhe Zvicra.
Në Maqedoninë e Veriut thyerja e masave kufizuese dënohet me 5 mijë euro deri në 1 vit burg. Ndërsa në Bosnje e Hercegovinë, Republika Srpska dënon nga 500 deri në 4 500 euro gjobë qytetarët që përhapin panik.
Shqipëria nuk u kujdes për qytetarët që mbetën jashtë kufijve, duke mos marrë përsipër fluturime apo linja tragetesh për tërheqjen e tyre.
Ndryshe u bë në Serbi. Por numri i madh i qytetarëve të kthyer shqetësoi autoritetet pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk po respektojnë detyrimin për t’u vënë në karantinë.
Shumica e vendeve të rajonit nuk kishin kryer shumë teste për koronavirus.
Më 16 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi që të kryheshin më tepër.
Shqipëria, vendi i që regjistroi viktimën e parë në rajon më 11 mars, raportoi të premten 6 të infektuar të tjerë duke e çuar numrin total në 70 të infektuar (rastet e para të ardhura pas udhëtimeve prej Italisë).
Megjithatë qeveria Rama nuk ka deklaruar ende gjendjen e jashtëzakonshme.
Maqedonia e Veriut raportoi 22 raste të reja të premten duke e çuar numrin total në 70.
Italia, Spanja, Holanda, Belgjika, Anglia dhe Zvicra janë vendet nga ku kanë ardhur të infektuarit e parë.
Autoritetet thonë se, tani për tani, masat parandaluese kanë ngadalësuar përhapjen e virusit.
Në Bosnje e Hercegovinë u raportuan 25 raste të reja me një total prej 82 rastesh, rritja më e lartë e shënuar që prej rastit të parë të diagnostikuar më 5 mars.
Italia dhe Gjermania janë vendet nga ku kanë ardhur disa prej të infektuarve.
Në Bosnje janë angazhuar forcat e armatosura, njësoj sot në Tiranë u panë të lëviznin mjete të rënda ushtarake.
Në Kosovë epidemia që ka infektuar deri më sot 22 persona (të ardhur nga Italia dhe Anglia), po shoqërohet me krizën e parë politike të qeverisë së Albin Kurtit, i cili shkarkoi Ministrin e Brendshëm për përhapje frike.
Kjo nxiti krisjen e parë me partinë në koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit Kurti.
Në Mal të Zi situata nuk është dhe aq e qetë sa 1 javë më parë, ku vendi mbetej i pangjyrosur në hartën e Evropës.
Tashmë janë 14 të infektuar. Të infektuarit e parë kishin ardhur nga udhëtime prej Spanjës dhe SHBA-të.
Për të ndihmuar në përballimin e situatës nga autoritetet shëndetësore disa biznesmenë kanë dhuruar shuma të konsiderueshme parashë.
Epidemia ka detyruar qeverinë të vendosë ndalimin e grumbullimeve. Kjo po i vë fre protestave të nisura muaj më parë kundër ligjit për lirinë fetare.