“Kur shohim vendet që janë duke e marrë veten nga komunizmi, popullsitë e tyre shpesh nuk e besojnë se komunistët e humbën të gjithë pushtetin. Në Shqipëri, kjo gjë nuk është besim, por është realiteti,” – më tha Dr. Lukash Kaminski (Lukasz Kaminski) ndërsa ishim ulur në hollin e hotelit “Tirana International” në fillim të nëntorit.
Kaminiski është Presidenti i Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane, një organizatë që u formua në vitin 2011 për të hulumtuar, dokumentuar, edukuar, mbështetur dhe rritur vetëdijen për regjimet totalitare që mbërthyen Evropën gjatë shekullit të njëzetë, i cili vizitoi Shqipërinë para pak ditëve.
Qëllimi i vizitës së tij, organizuar në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, ishte të takohej me aktivistë lokale, OJQ-të dhe qeverinë për të rritur ndërgjegjësimin dhe inkurajuar dialogun. Delegacioni vizitoi edhe Shkodrën dhe Lezhën, ku u takuan me të persekutuarit nën regjimin komunist dhe vizituan vende në përkujtim të viktimave të regjimit.
“Kur e krahasojmë komunizmin shqiptar me komunizmin në vendet e tjera, është vërtet e qartë se përvoja e shqiptarëve ishte më e rënda. Asnjë vend tjetër evropian nuk vuajti aq sa Shqipëria”, tha Kaminski.
Ai shtoi se me kalimin e viteve, situata u përkeqësua dhe u bë edhe më shtypëse, pa pasur ndonjë periudhë liberalizimi. Kjo, tha ai, ishte një situatë unike, pasi asnjë shoqëri tjetër evropiane, përfshirë Bashkimin Sovjetik, nuk i shkatërroi të gjithë sistemin shoqëror dhe të gjitha strukturat, ashtu siç bëri Shqipëria.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për shtypjen dhe krimet kundër njerëzimit, që ndodhën këtu, por bëhet fjalë edhe për problemin e shkatërrimit të plotë të të gjitha strukturave shoqërore.”
Kaminski beson se ky asgjësim i plotë i lirisë dhe sistemeve që i duhet shoqërisë për të funksionuar, janë shkaku kryesor i shumë problemeve që ekzistojnë në shoqërinë shqiptare.
Teksa tema po përqendrohej tek e ardhmja, e pyeta Kaminskin se sa optimist ndihet se Shqipëria do ta marrë plotësisht veten nga e kaluara e saj komuniste.
“Para dhjetë viteve do të kisha qenë më optimist,” më thotë ai. “Kam menduar se, për ta marrë veten, një vendi i duhen po aq kohë sa ka kaluar nën sundimin komunist, por tani mendoj se Shqipërisë i duhet më tepër kohë se aq.”
Ai më pas më shpjegon se sa e vështirë është të përcaktosh se në cilin çast nis rimëkëmbja. “A fillon kur merr fund komunizmi? Apo fillon kur e kemi trajtuar të kaluarën dhe kur ka nisur demokracia e vërtetë?”
Duke e krahasuar Shqipërinë me Ukrainën, ai thotë se mendon se rimëkëmbja e vërtetë nga sundimi sovjetik atje filloi vetëm para pak viteve. Në Shqipëri ama, më thotë ai, “Kam frikë se këto 30 vitet e fundit nuk mund t’i llogarisim fare.”
Për të filluar procesin e shërimit, Kaminski shpjegon se jo vetëm që duhet të arrihet demokracia e vërtetë, por se drejtësia duhet të vihet në vend për ata që vuajtën, u përndoqën dhe humbën anëtarët e familjes nga krimet e shtetit.
“Hetimet për krimet e komunizmit, drejtësinë, shkencën dhe arsimin e tij – të gjitha këto duhet të ndodhin përpara se Shqipëria të mund të ecë përpara. Ka shumë pasoja të mëdha të regjimit komunist, të cilat duhen trajtuar”, tha ai.
Për sa i përket fillimit të këtij procesi rekuperimi, Kaminski shpjegon se ka disa trajtime që duhen bërë. Së pari, shteti duhet të mbështesë plotësisht drejtësinë për ata që u prekën nga krimet e komunizmit, dhe duhet të punojë shumë për t’u siguruar që krimet që ndodhën të mos harrohen kurrë dhe të mos përsëriten kurrë. Shteti duhet, gjithashtu, të sigurojë që fëmijët e shkollave të marrin njohuri të plota për historinë e vendit, dhe të sigurohet se e kaluara komuniste e Shqipërisë dhe mizoritë e komunizmit të përfshihen në librat shkollorë.
“Nëse i harroni, jeni të dënuar t’i përsërisni – kjo është e vërteta”, tha ai.
“Njerëzit kanë filluar të harrojnë atë që ndodhi, kanë kaluar 30 vjet dhe kemi këtë gjeneratë të re, që ka pak njohuri për këtë përvojë. Ne duhet t’ua tregojmë se cilat janë pasojat e komunizmit. ”
Duke vënë në dukje se si nuk ka asnjë muze të vetëm në Shqipëri, të vendosur në një kamp apo burg komunist, Kaminski shtroi pyetjen: “Si do t’ua tregojmë historinë brezave të ardhshëm? Është e lehtë të mbyllësh një sy përpara dëshmisë së dëshmitarit, sepse është e vështirë të besosh që njerëzit mund t’ia kenë bërë këto gjëra njerëzve të tjerë. Përpara gurëve, ama, ndërtesave, nuk i mbyll dot sytë.”
Në të njëjtën kohë, Kaminski beson se media ka një rol të madh për të luajtur. Ai më thotë se në Poloni, kur gjenden varre massive, mediat ftohen t’i tregojnë publikut eshtrat e heronjve kombëtarë, qytetarëve, burrave, grave e fëmijëve. Ai shton se media duhet të luajë rol aktiv për t’ua mbajtur të gjallë në kujtesë njerëzve atë që ndodhi dhe nevojën për të vnë drejtësinë në vend.
Një rol e ka edhe shoqëria civile. Organizata si Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, MeMo, janë “mbështetje e madhe”, por Kaminski thotë se duhet të bëhet më shumë.
“Nuk ka mbështetje të madhe nga shumica e shoqërisë shqiptare. Qeveria kurrë nuk ka për të bërë gjë nëse nuk i ushtrohet trysni. Është e rëndësishme që shoqëria të bëjë presion për të kthyer mbrapsh e vendosur në vend kujtimin e atyre që vuajtën”, shpjegon Kaminski.
Në fakt, deputetët socialistë i kërkuan parlamentit të ndalonte fare studimin e krimeve të komunizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe të vendoste një rregull që ua lejonte vetëm “njerëzve të besuar” të kishin në dorë informacionin për atë periudhë. Kushdo që do të donte të studionte këtë periudhë, do të duhej të merrte më parë miratimin nga një institution në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama.
Vetë Rama ka pasur një plan për ta fshirë pjesën më të madhe të arkitekturës së epokës komuniste nga qendra e Tiranës, shprehur edhe në librin e tij “Kurban”.
“Pavarësisht nëse kjo bëhet përmes presionit apo zgjedhjeve, duhet të ketë drejtësi për krimet e kryera nga komunistët”, më thotë Kaminski.
Por drejtësia e ka të vështirë të mbërrijë. Ata që kërkojnë të gjejnë trupat e anëtarëve të familjes nuk janë lejuar të bëjnë gërmime, hetimet për krimet komuniste janë ndalur ose braktisur, dhe në disa raste institucionet nuk i kanë lejuar gazetarët apo qytetarët të shohin dosje nga koha e komunizmit.
Madje, vetë Partia Socialiste në pushtet, pasardhësja e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, ka në radhët e saj disa ‘ish-komunistë’. Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi ishte Ministri i Brendshëm në një kohë kur ata që përpiqeshin të arratiseshin nga vendi qëlloheshin për vdekje në kufi. Kryetari i Akademisë së Shkencave, i cili sipas të gjitha gjasave e zuri më forcë dhe në shkelje të Kushtetutës e ligjeve atë vend, Skënder Gjinushi ishte Ministri i fundit i Arsimit para se të binte komunizmi.
Kaminski më thotë se “Shqipëria ka nënshkruar një numër marrëveshjesh ndërkombëtare për krimet e së kaluarës dhe kundër njerëzimit. Nëse ata po i shkelin këto marrëveshje, atëherë qytetarët kanë të drejtën të ankohen ligjërisht”.
Nëse shqiptarët nuk janë në gjendje të gjejnë drejtësi në Shqipëri, Kaminski më shpjegon se ekzistojnë mekanizma ndërkombëtarë, që u lejojnë atyre ngrenë padi në gjykata në vende të tjera kundër shtetit shqiptar dhe kundër atyre që kanë kryer krimet.
Kaminski thotë se shumë vende, ashtu si Shqipëria, nuk kanë arritur t’i hetojnë dhe dënojnë siç duhet personat e përfshirë në krime kundër qytetarëve. Por hapi i parë është që këto vende ta pranojnë se kanë dështuar në këtë pikë. Kjo duket se ka pak gjasa të ndodhë nën drejtimin e qeverisë aktuale.
Në një aspekt personal, Kaminski më tregon sesi ai ka punuar në këtë fushë për 20 vjet dhe se gjithnjë ka qenë e vështirë.
“Nuk e kam fjalën vetëm për vizitat nëpër muzeume apo për historit që kam dëgjuar – kam qenë edhe pranë varresh massive. Kalimi i kohës nuk e bën më të lehtë këtë përvojë. Po, është emocionuese, por është e nevojshme që njerëzit t’i mbajnë mend këto gjëra.”