Shqipëria po shkon drejt medias së kontrolluar nga shteti

Nga Alice Elizabeth Taylor
Shqipëria po shkon drejt medias së kontrolluar nga shteti

Në një seancë konsultimi publik në Tiranë ditën e hënë, më 17 dhjetor, u prezantua një projektligj që prek pavarësinë e shtypit. Ky projektligj vjen pas disa kërcënimeve nga Edi Rama përgjatë këtij viti, të shoqëruara me shpërthimet e tij të çaprashitura në mediat sociale, por që duket se kësaj here ai ka vërtet ndërmend t’i çojë deri në fund këto ndryshime të ashpra, që janë hartuar me qëllimin për të kufizuar lirinë e medias në Shqipëri.

Projektligjet kanë në shënjestër lajmet “jo të paanshme” që mund “të cenojnë moralin publik”, si dhe “publikimet që mund të nxisin vepra penale”. Gjithashtu ato vendosin si kusht regjistrimin e portaleve dhe pagesën e tarifave. Në rast mosrespektimi të ligjit, gjoba mund të shkojë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë, apo edhe deri në mbyllje të faqeve online.

Projektligji prek edhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili presupozohej të ishte një institucion i pavarur. Tashmë AKEP do të ngarkohet me detyrën për të regjistruar të gjitha mediat online dhe për të marrë masa që “sipërmarrësit […] të zbatojnë detyrimet, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave të vendit, të sigurisë publike […]” dhe të ligjeve të tjera në fuqi.

Çdo faqe online, që vlerësohet të jetë subjekt i ligjit të ri, do të ketë detyrimin të shfaqë të dhënat për kontaktet dhe adresën e vendndodhjes, ndërkohë që do të jetë edhe nën rrezikun e mbylljes përfundimtare nga autoritetet shtetërore.

Në thelb, ndryshimet në ligj e kthejnë Autoritetit e Mediave Audiovizuale (AMA) në një institucion që kontrollon lajmet dhe moralin publik. Sipas amendamenteve të propozuara, kushdo që publikon në një faqe lajmesh, apo blog, duhet të “respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik”, çka më së paku mbetet diçka subjektive.

Projektiligji parashikon formimin e “Këshillit të Etikës”, i cili do të vendosë gjoba dhe do të marrë vendime për mbyllje të faqeve – të gjitha këto të zbatueshme në mënyrë të menjëhershme, pa lënë mundësi apelimi në gjykatë.

Kreu i AMA-s, Gentian Sala tha gjatë prezantimit se projektligji ishte përgatitur nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Drejtësisë, me qëllim “disiplinimin” e medias online në vend, që është duke u shtuar e fuqizuar gjithnjë e më shumë.

I pyetur për qëndrimin e tij ndaj projektligjit, Sala tha se ai nuk mund të shprehej, të mbështeste apo të kritikonte projektligjin, pa u shprehur më parë Bordi i AMA-s.

Dëshira e Kryeministrit për t’ia mbyllur gojën medias së pavarur nuk është sekrete; ai e quan median “kazan”, dhe jo shumë kohë më parë gazetarët i ka quajtur “sharlatanë”, “injorantë”, “helm” dhe “armiq publikë”.

Përpjekje për një sistem të tillë kontrolli ka bërë edhe Malta këtë vit, por ajo u kritikua ashpër nga OSBE-ja dhe iu kërkua ta hiqte detyrimin për t’u regjistruar. Kur Kryeministri Rama njoftoi fillimisht për këtë nismë në muajin tetor, OSBE-ja dhe Reporterët Pa Kufij (RSF) e kritikuan këtë lëvizje të qeverisë, ndërkohë që nuk ishte e qartë se deri ku do të shkonte ajo në këtë çështje.

Ky projektligj jo vetëm që është një kërcënim për demokracinë, lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes, por mund të konsiderohet edhe censure, si dhe i pa mbështetur në Kushtetutë. Vendimi për ligjshmërinë e një lajmi i takon gjykatës, jo institucioneve të ngarkuara nga qeveria, aq më tepër që ato kontrollohen nga Edi Rama.

Paraqitja e projektligjit vjen pak kohë pas kritikave në nivel ndërkombëtar për lirinë dhe paanshmërinë e medias në Shqipëri, e cila ka qenë në rënie të vazhdueshme vit pas viti.

“RSF dënon vendimin e Qeverisë Shqiptare, që detyron disa media online të regjistrohen pranë institucioneve zyrtare brenda tri ditëve, ose të mbyllen,” shkroi RSF në Twitter.

Unë, si një gazetare e pavarur dhe blogere, kam dy fjalë për t’i thënë zotit Rama: Jepi, ta shohim!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>