Shqipëria pret Samitin rajonal të Procesit të Brdo-Brijunit

Shqipëria pret Samitin rajonal të Procesit të Brdo-Brijunit

Presidenti Ilir Meta do të mirëpresë presidentët e vendeve të rajonit në Samitin e shtatë të Procesit të Brdo-Brijuni më 8-9 maj në Tiranë. Samiti i këtij viti synon të përcjellë aspiratat e palëkundura të vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar brenda rajonit dhe në Bashkimin Europian.

Bashkë me Presidentët e vendeve të Procesit të Brdo-Brijunit (Kroacia, Sllovenia, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria), të ftuar nderi do të jenë edhe Presidenti i Polonisë Andrzej Duda dhe drejtuesja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.

Nismën për këtë proces e morën presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 2012 dhe samiti i parë u mbajt më 2013. Procesi mban emrin e dy zonave gjeografike përkatësisht në Slloveni dhe Kroaci.

Qëllimi kryesor i procesit është të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit europian dhe stabilizimin të rajonit, duke forcuar dialogun politik, bashkëpunimin rajonal, besimit reciprok, dhe duke gjetur zgjidhje për çështjet dypalëshe apo rajonale. Nisma synon të krijojë mekanizma konkrete që nxisin bashkëpunimin rajonal.

Samiti i përvitshëm mbahet nga njëri prej vendeve anëtare të procesit. Në samitin e vitit të shkuar në Maqedoni, presidentët vendosën që samiti i shtatë të mbahet në Tiranë. Të ftuar nderi nga vende europiane marrin pjesë çdo vit në këtë samit. Në vijim, Exit.al sjell kronologjinë e samiteve të këtij procesi dhe të ftuarit e nderit në to.

– 2013, në Slloveni, me të ftuar nderi Presidentin e Francës François Hollande;

–2014, në Kroaci, e ftuar ishte Kancelarja gjermane Angela Merkel;

– 2015, në Mal të Zi dhe në Kroaci, më të ftuar nderi Zëvendës-Presidentin e SHBA-ve Joe Biden, Presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk dhe Presidentin e Austrisë President Heinz Fischer;

– 2016, në Bosnjë dhe Herzegovinë, i ftuar Presidenti i Italisë Sergio Mattarella;

– 2017, në Slloveni, i ftuar nderi Presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier;

– 2018, Maqedoni, të ftuar Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk dhe Presidenti i Bullgarisë Bojko Borisov.

Ky samit vjen pak ditë pas Samitit të Berlinit të thirrur nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, i cili u përqendrua te dialogu i ngrirë mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe te procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i Belinit duket se i vuri kapakun mosrealizimit të idesë për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe i zbehu shpresat e vendeve të Ballkanit për t’u integruar së afërmi në BE. Pas këtij samiti, Kryeministri Rama pranoi se negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së nuk do të hapen as në qershor 2019.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë ka thirrur një protestë më 8 maj, në bulevardin kryesor, në orën 18:00, kundër pranisë në këtë samit të Anëtarit të Presidencës së BH, Milorad Dodik, dhe Presidentit të Serbisë Alexandar Vučić. Në njoftimin për protestën, këta akuzohen se kanë kryer krime për të cilat nuk kanë kërkuar falje, dhe se kanë synime të zgjerojnë territoret e vendeve të tyre në kurriz të shqiptarëve dhe të vendeve të rajonit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>