Shqipëria pret të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit

Shqipëria pret të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për aplikimin e Shqipërisë për vendin e përfaqësuesit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

Vendi ynë është kandidat i vetëm, me përkrahjen e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore.

Për t’u zgjedhur, Shqipëria duhet të sigurojë 2/3 e votave të Asamblese dhe favorizohet nga fakti se nuk ka qënë kurrë pjesë e vendeve jo të përhershme të Këshillit.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ndodhet aktualisht në New York, ku ka zhvilluar një sërë takimesh me qëllim lobimin për sigurimin e votave për t’u zgjedhur.

Si zgjidhen anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit?

Këshilli i Sigurimit është një prej 5 institucioneve kryesore të OKB-së dhe përbëhet nga 15 anëtarë: pesë anëtarë të përhershëm – Kina, Franca, Federata Ruse, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar – dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, të cilët zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme.

Anëtarët jo të përhershëm zgjidhen për mandate dy-vjeçare – kështu që çdo vit, Asambleja e Përgjithshme zgjedh pesë anëtarë jo të përhershëm nga 10 gjithsej.

Këto 10 vende rezervohen mes rajoneve të botës: pesë vende për Afrikën dhe Azinë; një për Evropën Lindore; dy për Amerikën Latine dhe Karaibet; dhe dy për Evropën Perëndimore dhe vendet e tjera.

Nga pesë vendet për Afrikën dhe Azinë, tre janë për Afrikën dhe dy për Azinë.

Por, ekziston një mirëkuptim joformal midis dy grupeve për të rezervuar një vend për një vend arab. Grupi i Afrikës dhe Azisë Paqësorit merr me radhë çdo dy vjet për të vendosur një kandidat arab.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>